• e hënë, 23 dhjetor 2024

Komandanti i KFOR-it: Situata në veri të Kosovës është e qetë, por ende e brishtë

Komandanti i KFOR-it: Situata në veri të Kosovës është e qetë, por ende e brishtë

Prishtinë, 10 dhjetor 2023 (MIA) - Komandanti i misionit paqëruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutash ka deklaruar se situata e sigurisë në veri të vendit tani është më e qetë, por ende e brishtë, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në intervistën e sotme për portalin në gjuhën serbe "Kosovo onlajn" (kosovo-online.com), Ulutash theksoi se misioni i Aleancës Veriatlantike në Kosovë gjithmonë e ka dëshmuar afëtisnë e vet për t'u përballuar me çdo sfidë dhe vazhdoi ta zbatojë mandatin e tij të besuar nga Kombet e Bashkuara, plotësisht dhe në mënyrë të paanshme. 

 Gjenerali turk deklaroi se "pas rritjes së tensioneve në muajt e fundit", NATO-ja ka dislokuar në Kosovë 1.000 ushtarë shtesë dhe armë më të rënda.

"Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës administrative. Në përgjithësi, situata e sigurisë tani është më e qetë, por mbetet e brishtë. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni i KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e KB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme", tha Ulutash. 

  Ai theksoi se KFOR-i vazhdon të veprojë si reaguesi i tretë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEKS). 

"NATO është fuqishëm e përkushtuar për sigurinë në Kosovë dhe KFOR-i do të qëndrojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në përputhje me mandatin tonë të KB-së", deklaroi komandanti i KFOR-it. 

Ai mes tjerash ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit. 

"KFOR-i vazhdon të krijojë një kornizë sigurie, e cila është e nevojshme që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përparojë me ndërmjetësimin e BE-së, që është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në të mirë të të gjitha komuniteteve dhe stabilitetit rajonal", theksoi Ulutash në intervistën për "Kosovo onlajn". 

 

QËNDRONI TË LIDHUR