• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kolumnë e Besimit: Ekonomi e gjelbër dhe konkurruese për cilësi më të mirë të jetesës

Kolumnë e Besimit: Ekonomi e gjelbër dhe konkurruese për cilësi më të mirë të jetesës

Shkup, 7 tetor 2023

Ekonomisti dhe laureati i çmimit Nobel, Joseph Stiglitz thekson se “Sfida e qëndrueshmërisë është krijimi i ekonomisë së re globale, mënyrë e re e të bërit biznes, në mënyrë ekologjike, të qëndrueshme, ekonomike dhe efikase, që u ofron të gjithëve mundësi për një jetë më të mirë”. Javën e kaluar u hodhën dy hapa sistemike kruciale drejt zhvillimit të ekonomisë së gjelbër në vendin tonë, respektivisht miratimi i ligjit që mundëson krijimin e Fondit të efikasitetit energjetik dhe emetimi i fletobligacioneve të para të gjelbra si burim financimi të projekteve të gjelbra.

Ekonomia e gjelbër është sistem, ku si prioritete janë qëndrueshmëria ekologjike, drejtësia sociale dhe rritja ekonomike. Tranzicioni drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë, bujqësia e qëndrueshme dhe prodhimi i ushqimit, efikasiteti në menaxhimin e burimeve, rritja inkluzive përmes barazisë sociale, inovacionit dhe teknologjive ekologjike, financat e gjelbra dhe investimet në projektet e qëndrueshme, si dhe forcimi i qëndrueshmërisë klimatike, janë qëllimet e zhvillimit të gjelbër. Më konkretisht, ekonomia e gjelbër është ekonomi rezistente që ofron kushte më të mira jetësore për të gjithë qytetarët.

Shkurtimisht për Fondin dhe fletobligacionet e gjelbra

Kuvendi, javën e kaluar me propozimin e Ministrisë së Financave dha “dritë jeshile” për krijimin e Fondit të Efikasitetit Energjetik (FEE). Nëpërmjet këtij Fondi do të përkrahen projektet për efikasitetin energjetik dhe mbrojtjen e mjedisit në sektorin publik dhe privat nëpërmjet dhënies së granteve, kredive dhe garancive. Fondi do të funksionojë si njësi organizative në kuadër të Bankës Zhvillimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është pjesë e harmonizimit me direktivat e BE-së. Kapitali fillestar është 15 milionë euro, nga të cilat 5 milionë euro janë nëpërmjet Projektit të efikasitetit energjetik të Bankës Botërore dhe 10 milionë euro janë përmes emetimit të fletobligacioneve të gjelbra. Në të ardhmen, Fondi do të plotësohet edhe me emetime të reja të fletobligacioneve të gjelbra dhe burime të tjera (si grantet zhvillimore, huatë dhe shumëfishimi i kapitalit themelues). Krijimi i Fondit është planifikuar për vitin e ardhshëm, ndërsa në vitin 2025 pritet të zgjerohet edhe në sektorin rezident. Efektet e pritshme të projekteve, të përkrahura nga FEE-ja janë: rezistenca më e madhe ndaj rritjes së çmimeve të energjisë, siguria dhe vazhdimësia e furnizimit me energji për amvisëritë dhe kompanitë, përmirësimi i kushteve të jetesës, rritja e kostove energjetike, reduktimi i emetimeve dhe mbrojtja e shëndetit publik, duke ndikuar kështu pozitivisht ndaj mjedisit jetësor.

Gjatë javës u mbajt ankandi i parë i fletobligacioneve të gjelbra. Bëhet fjalë për letra shtetërore me vlerë, qëllimi i të cilave është përkrahja e projekteve të gjelbra në vend. Afatizimi i fletobligacioneve është dy vjet, ndërsa interesi i kuponit është 4.75%. Në ankand morën pjesë bankat, institucionet financiare, por edhe personat fizikë, ndërsa interesimi për fletobligacionet e gjelbra ishte pothuajse tre herë më i lartë se vlera e ofruar dhe e emetuar prej 600 milionë denarëve. Siç e theksova, këto mjete do të destinohen në Fondin e efikasitetit energjetik. Qëllimi i tyre është që përmes financimit të projekteve të efikasitetit energjetik dhe mjedisit jetësor, të përshpejtohet rritja e gjelbër, si dhe zhvillimi i tregut të kapitalit në vend, nëpërmjet diversifikimit të ofertës me instrumente të reja.

Financat janë sistemi i qarkullimit të ekonomisë, andaj krijimi i mekanizmave institucionalë për mobilizimin e mjeteve dhe financimin e projekteve të gjelbra kanë kontribut sinjifikativ në zhvillimin e sistemit të gjelbër. Gjithashtu, kjo është vetëm një pjesë e spektrit të masave dhe politikave që ndërmerren dhe që do të ndërmerren në vendin tonë për gjelbërimin e ekonomisë. Rritja e gjelbër është pjesë e reformave strukturore, respektivisht reformave që planifikohen për përforcimin e ekonomisë sonë dhe rritjen e potencialit të saj, si pjesë e procesit të integrimit dhe zhvillimit evropian. Investimet e gjelbra, rregullativa dhe financat janë pjesë e disa strategjive shtetërore dhe natyrisht, nuk duhet harruar roli i institucioneve financiare ndërkombëtare, partnerëve bilateralë të vendit, si dhe sektorit privat.

Rënie deri në 30% e PBB-së globale si rezultat i ndryshimeve klimatike

Përforcimi i ndërgjegjësimit të gjelbër, si fillim i axhendës së gjelbër dhe pikësynimet e zhvillimit të qëndrueshëm të kombeve të bashkuara, fillon diku në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, me konferencën e OKB-së në Stokholm, më tej me samitin e OKB-së në Rio de Janeiro dhe Protokollin e Kiotos në vitet e njëzet deri në Marrëveshjen e Parisit në vitin 2015. Që atëherë, popullsia e botës është dyfishuar (nga 3.7 miliardë banorë në vitet e '70-ta në mbi 8 miliardë banorë në vitin 2020), përkatësisht, bota është bërë më e vogël, më e ndotur, me burime të shteruara dhe efekte më të theksuara të ndryshimeve klimatike.

Fjalim mjaft interesant para disa vitesh mbajti drejtoresha aktuale e FMN-së, Kristalina Georgieva, e cila theksoi lidhur me pasojat e shumta të ndryshimeve klimatike në dekadat e fundit, nëse nuk ndërmerren masa. Ajo mori si shembull mbesën e saj nëntëvjeçare dhe vuri në dukje se ndryshimet klimatike janë aq intensive, sa që në kohën kur vajza të arrijë moshën 20 vjeçare, ndryshimet klimatike do të fusin në varfëri në botë 100 milionë njerëz, deri në momentin që ajo të mbushë 40 vjeç - 140 milionë njerëz do të migrojnë për shkak të përkeqësimit të kushteve klimatike, ndërsa nëse jeton deri në moshën 90-vjeçare, temperatura e planetit do të jetë 3-4 gradë celsius më e ngrohtë, me ç’rast kushtet e jetesës do të jenë pothuajse të padurueshme. Ky është shqyrtim ilustrues mjaft i mirë, lidhur me faktin se çfarë do të vazhdojë të ndodhë në një të ardhme jo shumë të largët, me fëmijët dhe nipërit tanë, nëse tani nuk ndërmarrim hapa vendimtare.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se çdo vit fatkeqësitë klimatike shkaktojnë dëme të larta ekonomike dhe ekologjike, ndërsa vetëm në dekadën e fundit këto dëme janë vlerësuar në 1.3 trilion dollarë (ose rreth 0.2% e PBB-së globale në nivel vjetor). Studime të ndryshme të organizatave, agjencive, think-tank-eve përkatëse botërore japin parashikime kataklizmike për efektet e ndryshimeve klimatike në ekonominë globale. Forumi ekonomik dhe botëror në vitin 2020 e karakterizoi ndryshimin klimatik si kërcënimin më të madh për ekonominë dhe shoqërinë. Një studim i Oksfordit tre vite më parë tregon se me emisionet e larta të karbonit, rritja e temperaturës deri në vitin 2050 do të ishte 2 gradë celsius, ndërsa PBB-ja globale do të zvogëlohet me 2,5-7,5% dhe deri në vitin 2100 me 4 gradë dhe PBB-ja globale do të zvogëlohet për 30% në skenarin më të keq. Analizat empirike tregojnë efektet e ndryshimeve klimatike mbi inflacionin dhe rritjen ekonomike nëpërmjet kanaleve të shumta si ulja e prodhimit bujqësor dhe rritja e çmimeve të ushqimeve, ulja e produktivitetit të punës, reduktimi i konsumit dhe investimeve, transportit etj. Njëkohësisht, intensiteti i efekteve do të varet kryesisht nga struktura dhe zhvillimi i ekonomisë.

Teoria ekonomike: zhvillim më i ulët - ndërgjegjësim më i ulët për riskun klimatik

Teoria ekonomike është e interesuar për efektet e ekologjisë ndaj ekonomisë dhe rritjes. Përveç kësaj, do t'i referohem disa teorive, si kurba ekologjike e Kuznets, e cila tregon raportin e të hyrave dhe mjedisit jetësor në formën e shkronjës "U" të përmbysur, përkatësisht në fazat e hershme të zhvillimit ekonomik të në një ekonomie, ku degradimi i mjedisit jetësor rritet, por të hyrat vazhdojnë të rriten, shoqëritë bëhen më të ndërgjegjshme për mjedisin jetësor, me ç’rast politikat dhe teknologjitë përmirësohen ashtu si mjedisi jetësor. Koncepti i zhvillimit të qëndrueshëm, nga ana tjetër, thekson nevojën për balancimin e rritjes ekonomike, mirëqenien sociale dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor, respektivisht, rritja ekonomike që do t’i plotësojë nevojat e gjeneratave të tashme pa rrezikuar gjeneratat e ardhshme konsiderohet si e qëndrueshme.

Teoria e rritjes së gjelbër bazohet në arritjen e rritjes ekonomike duke minimizuar efektet ndaj mjedisit jetësor, përmes investimeve në teknologjitë "e pastra", efikasitetin energjetik dhe praktikat e qëndrueshme. Ekonomia ekologjike, si fushë ndërdisiplinore, përcakton parimet ekologjike në modelet ekonomike tradicionale, ndërsa metodat për vlerësimin e mjedisit jetësor nëpërmjet analizës kosto-përfitim (cost - benefit) u ndihmojnë politikëbërëve t’i llogarisin përfitimet dhe kursimet e mbrojtjes së mjedisit. Teoritë e tranzicionit të qëndrueshëm dhe rritjes së gjelbër inkluzive, nga ana tjetër, i dedikohen rolit të inovacioneve, politikave dhe investimeve në tranzicion drejt qëndrueshmërisë sociale dhe ekologjike.

Rritja e gjelbër, e njohur edhe si rritja e qëndrueshme ose inkluzive është model i zhvillimit ekonomik që tenton ta harmonizojë prosperitetin ekonomik me qëndrueshmërinë e mjedisit jetësor, respektivisht, ideja është që rritja ekonomike nuk duhet të rezultojë në dobi të cilësisë së mjedisit jetësor dhe mirëqenies sociale. Rritja e gjelbër është gjithashtu reagim ndaj sfidave globale, përkatësisht, ndryshimeve klimatike, ruajtjes së biodiversitetit, përforcimit të rezistencës së ekonomisë globale dhe krijimit të vendeve të punës.

Tranzicioni i gjelbër i ekonomisë vendase

Tranzicioni i gjelbër i ekonomisë vendase është një nga reformat që adresohen në Programin e reformave ekonomike të vendit, i cili është dokument sistemik që është pjesë e procesit tonë të integrimit evropian. Komisioni Evropian në vlerësimin e tij për PRE 2022-2024 thekson se jemi ekonomi intensive energjetike ku duhet të punojmë drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe përmirësimit të efikasitetit energjetik, me ç’rast u përforcua edhe rregullativa përmes ligjeve të reja për energjetikën dhe efikasitetin energjetik, të cilat përfshijnë masa për lehtësimin e ndryshimeve klimatike që lidhen kryesisht me sektorin e energjetikës.

Si vend nënshkrues i protokolleve dhe rezolutave botërore, vendi ynë ndërmerr aktivitete të rregullta për reduktimin e emisioneve të gazrave serrë dhe kufizimin e ngrohjes globale, ku është arritur progres më domethënës në harmonizimin e legjislacionit të vendit me legjislacionin e BE-së, veçanërisht në vendosjen e mekanizmave dhe mbikëqyrjes së raportimit në lidhje me gazrat serrë. Disa nga këndvështrimet e tjera në lidhje me mjedisin jetësor janë se është arritur progres

i pjesshëm në ekonominë qarkore, respektivisht sa i përket pjesës së riciklimit (Republika e Maqedonisë së Veriut aktualisht prodhon 456 kg mbetje komunale për banor, që është më pak se mesatarja e BE-së prej 492 kg për banor, por vërehet rritje e caktuar në dekadën e fundit).

Cilësia e ajrit ka qenë lëndë diskutimi për një kohë të gjatë dhe megjithëse është përmirësuar gjatë dekadës së fundit, ekonomia ende ka një nga nivelet më të larta të ndotjes së ajrit në Evropë, veçanërisht në muajt e dimrit. Për adresimin e këtij problemi, u miratua Plani i ajrit të pastër për vitin 2019 dhe 2020, qëllimet kryesore të të cilit janë rritja e ndërgjegjësimit të publikut për nevojën e përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe reduktimit të emisioneve të grimcave PM, kryesisht përmes vendosjes së masave për efikasitetin energjetik për amvisëritë dhe institucionet publike. Një problem tjetër është sistemi i furnizimit me ujë dhe nevoja për ndërtimin e impianteve të reja filtruese, përfshirë edhe kryeqytetin.

Masat për energji të ripërtëritshme dhe efikasitet, ekonomi qarkore (circular economy), ujë dhe ajër cilësor

Masat që identifikuam si të nevojshme për zbatimin e tranzicionit të gjelbër në Programin e reformave ekonomike 2023-2025 janë diversifikimi i burimeve të furnizimit me energji, duke rritur kështu pjesëmarrjen e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe duke përshpejtuar masat për përmirësimin e efikasitetit energjetik. Gjithashtu, parashihet përcaktimi i platformës për përfshirjen e të gjitha subjekteve të lidhura në zhvillimin e ekonomisë qarkore, përmirësimi i koordinimit ndërmjet njësive të vetëqeverisjes lokale dhe pushtetit qendror, si dhe përforcimi i bashkëpunimit ndërsektorial për zbatimin e masave shtesë për rritjen e cilësisë së ajrit dhe menaxhimin e mbetjeve. Gjithashtu janë planifikuar masa në drejtim të përmirësimit të sistemit të grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të zeza nëpërmjet të rritjes së numrit të stacioneve filtruese dhe nëpërmjet zbatimit të parimeve të përgjegjësisë së shfrytëzuesve dhe ndotësve të ujit. Secila prej këtyre masave përfshin një numër të madh projektesh që janë paraparë për këto tre vite. Kështu, për shembull, në kuadër të masës për përmirësimin e efikasitetit energjetik, parashihet krijimi i Fondit të efikasitetit energjetik, si dhe një sërë projektesh të tjera, siç është përgatitja e Inventarit të karakteristikave energjetike të objekteve publike dhe Strategjia e rikonstruimit të ndërtesave deri në vitin 2030, etj.

Tatimimi i gjelbër smart

Është gjithashtu interesante fakti që në ekonominë klimatike theksohet justifikimi ekonomik për arkëtimin (inkasimin) e tatimeve mbi emisionet e karbonit për lehtësimin e ndryshimeve klimatike. Përkatësisht, krahas masave stimuluese për tranzicionin e gjelbër përmes investimeve dhe subvencioneve, edhe masat kufizuese janë dëshmuar si mekanizëm i rëndësishëm në arritjen e këtyre qëllimeve.

Një nga prioritetet në Strategjinë e reformës tatimore është tatimimi i gjelbër, me qëllim të stimulimit të obliguesve tatimorë për reduktimin e sjelljes së tyre dhe aktiviteteve që kontribuojnë drejt ndotjes. Pikësynimi kryesor sa i përket këtij prioriteti nuk është rritja e të hyrave fiskale, por që tatimimi i gjelbër të jetë tatimim “smart”, me kalim nga puna në tatimim sipas ndotjes, duke

përftuar kështu benefite ekologjike, sociale dhe ekonomike. Por, për shkak të kushteve ekonomike aktuale në vend dhe jashtë, kjo masë është prolonguar prej disa kohësh.

Tema është mjaft e gjerë dhe mund të depërtojmë në shumë segmente, si sektori financiar, stabiliteti i bankave dhe fondeve, aspekti social, roli i teknologjive dhe inovacioneve të gjelbra, integrimet nga aspekti i zgjidhjes së problemeve klimatike etj. Gjithsesi, kjo është temë që kërkon qasje holistike për arritjen e rezultateve të synuara.

Gjenerata e fundit që mund të ndërmarrë veprime…

Do të theksoj se “botën nuk na e kanë lënë baballarët, përkundrazi, atë na huazuan fëmijët tanë..." dhe kështu duhet ta trajtojmë atë. Zhvillimi i ekonomisë së gjelbër dhe arritja e zhvillimit të gjelbër nuk ka të bëjë vetëm me arritjen e shifrave në letër, por me përmirësimin e dukshëm të kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët. Të gjithë thithim ajrin e njëjtë, pijmë ujin e njëjtë dhe ushqehemi nga toka e njëjtë dhe siç tha kryetarja Lagarde, "ne jemi gjenerata e parë që ndjejmë efektet e ndryshimeve klimatike dhe gjenerata e fundit që mud të bëjë diçka në këtë drejtim."

Fatmir Besimi

Ministër i Fiancave

Foto: Ministria e Financave

______________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR