• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kocevski ka parashtruar propozim për ngritjen e procedurës disiplinore kundër shefit të PP-së së Lartë Shkup Mustafa Hajrullahi dhe një prokuror publik

Kocevski ka parashtruar propozim për ngritjen e procedurës disiplinore kundër shefit të PP-së së Lartë Shkup Mustafa Hajrullahi dhe një prokuror publik

Shkup, 3 dhjetor 2024 (MIA) – Prokurori publik republikan, Lupço Kocevski, në bazë të të dhënave për situatën e konstatuar nga mbikëqyrja e kryer në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, ka dorëzuar propozim për nisjen e procedurës disiplinore kundër shefit të Prokurorisë së Lartë Publike Shkup, Mustafa Hajrullahi dhe një prokurori publik. 

Nga Prokuroria Publike informojnë se prokurori publik i Maqedonisë së Veriut i ka shqyrtuar procesverbalin dhe raportin përfundimtar nga mbikëqyrja e kryer në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, si dhe shënimet zyrtare të bashkangjitura, dhe në bazë të të dhënave për situatën e konstatuar ka vendosur që në Komisionin për përcaktimin e përgjegjësie disiplinore të prokurorëve publikë të dorëzojë propozim për ngritjen e procedurës disiplinore kundër prokurorit publik nga Prokuroria e Lartë Publike Shkup për punë joprofesionale dhe të pakujdesshme në katër lëndë në të cilat ka hequr dorë nga ankesa ose akuza. 

Propozim për nisjen e procedurës disiplinore është parashtruar edhe kundër prokurorit të lartë publik në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup para të cilit ishte referuar dhe me leje të të cilit ishte marrë vendim në tre nga lëndët e përmendura, si dhe për shkak të parregullsive të konstatuara në mënyrën e paraqitjes së lëndëve në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup. 

“Fillimi i procedurës disiplinore është edhe një konfirmim i përkushtimit të Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut për të mundësuar ndjekje penale efikase të kryerësve të krimeve dhe për të kërkuar përgjegjësi nga prokurorët publikë të cilët në mënyrë të paarsyeshme e kanë zvarritur procedurën ose kanë hequr dorë në mënyrë të paarsyeshme nga ndjekja penale”, thuhet në kumtesën e PPRMV-së.

Hap shtesë në këtë drejtim, siç theksojnë nga Prokuroria, është edhe fuqizimi i transparencës së Prokurorisë Publike veçanërisht në procedurat që kanë të bëjnë me vepra penale kundër korrupsionit dhe janë me interes të veçantë publik. Me këtë qëllim, theksojnë se Prokuroria Publike tashmë ka caktuar brifing për gazetarë në të cilin do të marrin pjesë të gjithë prokurorët publikë të cilët kanë në punë lëndë me interes për publikun. 

“Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut vazhdon, në bashkëpunim me të gjithë faktorët dhe me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë, të punojë në fuqizimin e të gjitha kapaciteteve të Prokurorisë Publike në luftën kundër korrupsionit”, thuhet në kumtesën e PPRMV-së.

Prokurori i lartë publik i Prokurorisë së Lartë Publike Shkup, Mustafa Hajrullahi, në konferencë për media para Prokurorisë, pas vendimit për suspendimin e tij nga funksioni më 11 shtator, akuzoi se padia penale kundër tij e parashtruar nga ana e Prokurorit Publik Republikan, ka tendencë ta largojë dhe heshtë, si dhe t’i frikësojë edhe kolegët e tjerë të cilët veprojnë në bazë të ligjit, ndërsa janë me qëllim, siç tha, të merren vendime të porositura. 

Sipas Hajrullahit, mbikëqyrja mbi punën e Prokurorisë së Lartë Publike, ka ndodhur pasi ai më 19 shtator ishte thirr nga prokurori publik republikan, te ai në zyrë dhe i ishte thënë se sa i përket lëndës me bonuset e PSP-së duhet të marrë vendim me të cilin do të konfirmohet vendimi i shkallës së parë nga PTHP NKOK. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR