• e premte, 05 dhjetor 2025

Kocevski: Hetimi për zjarrin në Koçan është në fazë jashtëzakonisht të rëndësishme, nuk ka selektime deri tani dhe nuk do të ketë as në të ardhmen

Kocevski: Hetimi për zjarrin në Koçan është në fazë jashtëzakonisht të rëndësishme, nuk ka selektime deri tani dhe nuk do të ketë as në të ardhmen

Shkup, 8 maj 2025 (MIA) - Prokurorët publikë të cilët punojnë në hetimin e zjarrit në Koçan për momentin po marrin në pyetje dëshmitarë dhe palë të dëmtuara që dinë diçka për ngjarjen, ndërkohë që po koordinohen edhe me ekspertë në lidhje me hetimin, deklaroi Prokurori publik republikan, Lupço Kocevski sot para fillimit të seancës së Këshillit të Prokurorëve publikë.

Në pyetjen e gazetarëve nëse do të zgjerohet hetimi ndaj zyrtarëve të policisë që ishin atë natë në diskotekën "Puls", Kocevski tha se derisa të përfundojë hetimi është i mundshëm zgjerimi, por thotë se kjo varet nga provat dhe nga ajo që do të ofrojnë prokurorët publikë. Sipas Kocevskit, nuk ka selektime në hetim deri tani, ndërsa nuk do të ketë as në të ardhmen. 

"Prokuroria publike për krim të organizuar ka një procedurë për 14 ose 15 persona, për të cilët nuk janë përcaktuar masa paraburgimi. Nuk ka pasur selektime deri tani, nuk do të ketë as në të ardhmen. Siç e kam thënë tashmë, derisa të përfundojë hetimi, një zgjerim i mundshëm është i mundur, megjithatë kjo varet nga provat dhe nga ajo që do të ofrojnë prokurorët publik. Hetimi është fazë jashtëzakonisht e rëndësishme tani, prandaj nuk mund të ndaj informacione më të detajuara në lidhje me hetimet në vazhdim", tha Kocevski. 

Në pyetjen e gazetarëve nëse është e mundur prolongim i procedurës, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një hetim të gjerë me një numër të madh të dyshuarish, Kocevski tha se, sipas tij, "procedura nuk do të prolongohet, duke marrë parasysh dinamikën aktuale të prokurorëve publik".

"Për momentin ka prokurorë publik që punojnë edhe në Koçan edhe në Shkup, kështu që sipas dinamikës me të cilën punojnë, mendoj se nuk do të ketë problem për përfundimin e procedurës brenda afatit të caktuar”, tha Kocevski.

I pyetur nëse po përballet me ndonjë presion në lidhje me mënyrën se si është zhvilluar hetimi, duke marrë parasysh faktin se partia në pushtet më parë kishte ndërmend të niste procedurat për shkarkimin e tij, Kocevski tha se që nga fillimi i hetimit, ai nuk është përballur me ndonjë presion apo kërcënim të mundshëm.

"Të njëjtën gjë e kam thënë disa herë, bëhet fjalë për një vendim politik. Për momentin që nga fillimi i hetimit, nuk kam marrë asnjë presion apo kërcënim të mundshëm në lidhje me atë pjesë”, tha Kocevski.

Kocevski, gjithashtu theksoi se në faqen e internetit të Prokurorisë, të gjithë mund të ndajnë informacion në lidhje me ngjarjen, duke garantuar se ai është konfidencial dhe nuk do të publikohet. 

Në zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan më 16 mars jetën e humbën 62 persona, ndërsa gati 200 të tjerë u plagosën. Një pjesë e të lënduarve u shtruan në spitalet në vend, ndërsa disa u transferuan për trajtim jashtë vendit. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR