• e premte, 05 dhjetor 2025

Kocevski dhe Abazi në Tiranë: Veprimi i përbashkët dhe shkëmbimi i ndërsjellë i informacionit janë thelbësore në përballjen me sfidat në rajon

Kocevski dhe Abazi në Tiranë: Veprimi i përbashkët dhe shkëmbimi i ndërsjellë i informacionit janë thelbësore në përballjen me sfidat në rajon

Shkup, 17 qershor 2025 (MIA) - Prokurori publik i shtetit, Lupço Kocevski, sot së bashku me shefin e Prokurorisë themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Islam Abazi dhe Prokuroren publike për lidhje të vendit “Eurojust” Lençe Ristoska, morën pjesë në Forumin e dytë vjetor konsultativ të shefave të shteteve dhe Zyrave të Prokurorëve special në Ballkanin Perëndimor i cili mbahet në Tiranë në organizim të “Eurojust”.

Siç informon PTHP, në takimin e sotëm, Prokurori publik republikan Kocevski theksoi se zgjidhjet për sfidat me të cilat përballet rajoni janë në veprim të përbashkët, shkëmbimin e ndërsjellë të informacionit, si dhe lidhjen e marrëveshjeve për formimin e ekipeve të përbashkëta hetimore. Sipas Kocevskit, në këtë mënyrë, jo vetëm që do të rritet efikasiteti i institucioneve, por do të rritet edhe siguria juridike për qytetarët që presin rezultate.

"Rajoni ynë përballet me sfida të ngjashme – krim transnacional, korrupsion, trafikim të qenieve njerëzore, pastrim parash dhe zgjidhjet për këto sfida, gjithnjë e më shumë qëndrojnë në veprim të përbashkët. Prandaj, duke formalizuar bashkëpunimin tonë, siç është lidhja e marrëveshjeve për formimin e ekipeve të përbashkëta hetimore, por edhe përmes një shkëmbimi më të drejtpërdrejtë spontan të informacionit, rrisim jo vetëm efikasitetin e institucioneve tona, por edhe sigurinë ligjore për qytetarët që presin rezultate", theksoi Kocevski.

Shefi i PTHP NKOK Islam Abazi iu referua luftës kundër karteleve të drogës që operojnë në vend, të cilat tha ai, përveç trafikimit të drogës, ndërmarrin edhe veprime të tjera, si likuidime, përplasje të armatosura, frikësime e kështu me radhë.

"Në periudhën e fundit, jemi angazhuar seriozisht në luftën kundër karteleve të drogës që operojnë në Maqedoninë e Veriut, të cilat përveç trafikimit të drogës, po ndërmarrin edhe veprime të tjera për çka dëshmojmë për një përshkallëzim të dhunës që lidhet me tregun e drogës – likuidime, përplasje të armatosur, frikësime. Organizatorët e këtyre aktiviteteve nuk janë grupe margjinale, por organizata kriminale të strukturuara mirë si lidhje rajonale dhe ndërkombëtare. Këto rrjete veprojnë përmes skemave që nuk njohin kufij dhe që kërkojnë një përgjigje ndërkufitare, të shpejtë dhe të koordinuar”, theksoi Abazi.

Në margjinat e takimit në Tiranë, prokurorët publik nga Maqedonia zhvilluan disa takime dypalëshe me kolegë nga rajoni, ku diskutuan në detaje modalitetet për nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë. Gjithashtu, delegacioni i prokurorisë nga vendi i udhëhequr nga Kocevski realizoi takim me kryetarin e "Eurojust", Mihael Shmit.

Foto: PTHP

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR