• e martë, 24 dhjetor 2024

Klubi i deputeteve: Çështjet gjinore fillojnë me partitë politike

Klubi i deputeteve: Çështjet gjinore fillojnë me partitë politike

Shkup, 9 nëntor 2023 (MIA) - Anëtaret e Klubit të Deputeteve në Kuvend sot morën pjesë në Prezantimin për përfaqësimin gjinor në zgjedhjet dhe proceset politike në Maqedoninë e Veriut: mësimet e nxjerra dhe rekomandimet për zgjedhjet parlamentare në vitin 2024, nga konsulentja ndërkombëtare për çështjet gjinore, Florens Ganu.

Siç informojnë nga pres shërbimi i Qeverisë, prezantimi u organizua nga Federata Ndërkombëtare për Sistemet Zgjedhore (IFES), ndërsa vërejtjet dhe qëllimet hyrëse të Raportit i prezantoi Joana Kozma, drejtoreshë e IFES në vend. Ajo shprehu mirënjohjen për komunikimin e hapur të deritanishëm me partitë politike dhe institucionet relevante dhe qytetarët në nivel lokal, në lidhje me reformat zgjedhore.

Në fjalën e saj përshëndetëse, kryetarja e Klubit, Lolita Ristova, falënderoi të pranishmit dhe të gjithë faktorët aktivë në këtë proces për forcimin e pjesëmarrjes së grave në politikë.

Barazia gjinore është temë e cila shtrihet në të gjitha aktivitetet e projektit, me qëllimin kryesor të nxitet përfaqësimi dhe pjesëmarrja e barabartë gjinore në zgjedhjet dhe proceset politike. Hulumtimi i faktorëve që e pengojnë angazhimin e konsiderueshëm të grave parlamentare në procesin e miratimit të vendimeve, në aktivitetet politike brendapartiake, si dhe me elektoratin ishin në fokusin e hulumtimit, theksoi Ganu në fillim të Prezantimit.

Ajo tregoi se gjatë periudhës së kaluar ishin zbatuar 17 intervista të thelluara, në periudhën prej 18 deri më 22 shtator 2023, nga të cilat kanë dalë 11 rekomandime për palët e interesuara, veçanërisht në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare në vitin 2024.

"Partitë politike, si dhe palët e tjera të interesuara, duhet të kenë parasysh, të tregojnë përkushtim dhe vullnet politik për rekomandimet e mëposhtme: Kontrolli më i madh buxhetor i seksioneve të grave duke futur linjë të veçantë buxhetore; Futja e kuotave të brendshme gjinore; Ndryshimi i çelësit për shpërndarjen e financimit publik për të barazuar më tej kushtet e pjesëmarrjes ndërmjet partive politike; Hartimi i strategjive të përfshirjes me qëllim të rritjes së nivelit të pranueshmërisë dhe rekrutimit të grave kandidate në zonat rurale dhe të largëta/të izoluara; Vendosja ose fuqizimi i mekanizmave ekzistues të brendshëm monitorues për kërkimin mbi pjesëmarrjen gjinore dhe barazinë gjinore; Futja e qasjes së "patent sistemit" ose "paritetit vertikal" në listat e kandidatëve; Mënjanimi i mungesës serioze të grave në Qeveri dhe në pozicione të larta të nominuara; Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria duhet t'i përcaktojnë arsyet e mosmarrjes së masave dhe të ndërmarrin hapa vendimtarë për zgjidhjen e situatës; Abstenimi nga teknikat negative të fushatës së partive, ndjekja dhe sanksionimi i tyre; Hartimi i kundërstrategjisë për të zbutur fyerjet dhe gjuhën e urrejtjes në rrjetet sociale përmes rritjes së përdorimit të mesazheve pozitive të mbështetjes nga politikanet femra; Të mos presim norma më të mira dhe zbatimi, organizimi dhe veprimi i tyre më i mirë menjëherë", janë 11 rekomandimet për palët e interesuara.

Pas prezantimit u shqyrtuan rekomandimet dhe u diskutua, deputetet u shprehën unanimisht lidhur me problemet dhe sfidat e radhës me të cilat përballen në lidhje me këto çështje.

Mendimet dhe vërejtjet e tyre i dhanë: Maja Moraçanin, Snezhana Kaleska-Vançeva, Zhaklina Peshevska, Daniella Koleva, Gordana Siljanovska-Davkova, Sonja Mirakovska, Zhaklina Llazarevska dhe Bllagica Llasovska.

Evenimentin e mbylli sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Cvetanka Ivanova, e cila në fjalën e saj theksoi se kjo temë është shumë e rëndësishme, në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për ne kur kemi ngecje serioze për çështjet gjinore dhe na ndodh ngritja e lëvizjes anti-gjinore në vend. Ajo bëri thirrje që të tejkalohen dallimet partiake dhe të bashkohen për këto dy akte: Rregulloren dhe Kodin Zgjedhor. bsh/

Foto: Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut

QËNDRONI TË LIDHUR