• e premte, 05 dhjetor 2025

Kina hedh poshtë pretendimet e BE-së për mbiprodhim dhe kërkon lehtësim të eksportit të teknologjisë

Kina hedh poshtë pretendimet e BE-së për mbiprodhim dhe kërkon lehtësim të eksportit të teknologjisë

Pekin, 25 korrik 2025 (MIA) - Bashkimi Evropian duhet të lehtësojë kufizimet për eksportin e produkteve të teknologjisë së lartë në Kinë, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës.

Në të njëjtën kohë, një zyrtar i Ministrisë i përshkroi pretendimet për mbikapacitet në industrinë kineze si një "kuptim të njëanshëm" të ofertës dhe kërkesës globale.

Në brifingun e rregullt, zëdhënësi i ministrisë Guo Xhiakun komentoi mbi rezultatet e një takimi të nivelit të lartë midis udhëheqësve kinezë dhe evropianë të mbajtur një ditë më parë në Pekin. Ai theksoi se Kina mbetet e përkushtuar për të importuar "produkte cilësore dhe produkte me kërkesë të tregut" nga BE-ja.

"Pretendimi për mbikapacitet në Kinë pasqyron një kuptim të njëanshëm të ekuilibrit global të ofertës dhe kërkesës në kontekstin e globalizimit ekonomik dhe shërben si justifikim për masat proteksioniste", tha Guo.

Deklarata vjen një ditë pas një takimi të nivelit të lartë midis udhëheqësve kinezë dhe evropianë në Pekin, gjatë të cilit kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen paralajmëroi se BE-ja mund të detyrohet të kufizojë aksesin në tregun evropian për mallrat kineze në mungesë të një reciprociteti më të madh tregtar.

Fon der Lajen gjithashtu tërhoqi vëmendjen ndaj çekuilibrit tregtar, duke vënë në dukje se 14.5 përqind e të gjithë eksportit kinez shkon në BE, ndërsa vetëm tetë përqind e eksportit evropian arrin në tregun kinez.

Edhe pse Bashkimi Evropian dhe Kina janë partnerët e dytë më të mëdhenj tregtarë, marrëdhëniet midis tyre mbeten të tensionuara, vëren DPA. Brukseli është i shqetësuar për një deficit tregtar rekord prej më shumë se 300 miliardë eurosh vitin e kaluar, si dhe për kufizimet e Pekinit për eksportin e materialeve strategjike. sa/

foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR