• e hënë, 23 dhjetor 2024

KFOR-i kërkon që me kohë të informohet për aksione të policisë së Kosovës të cilat mund të ndikojnë në sigurinë rajonale

KFOR-i kërkon që me kohë të informohet për aksione të policisë së Kosovës të cilat mund të ndikojnë në sigurinë rajonale

Prishtinë, 21 maj 2024 (MIA) - Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, në një kumtesë lidhur me aksionin e djeshëm të policisë së Kosovës që përfundoi me mbylljen e gjashtë filialeve të "Bankës Postare Kursimore" të Serbisë në veri të vendit, njoftoi se në të ardhmen pret konsultime me kohë nga Policia e Kosovës për aksione të tilla, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Nga KFOR-i thonë se për operacionin ishin informuar pak para se të niste ai, ndërsa theksuan se në aksion nuk ishin të përfshirë kuadër personel.

"KFOR-i është njoftuar pak para fillimit të operacioneve të institucioneve në Kosovë kundër degëve të 'Bankës Postare Kursimore' të vendosura në komunat veriore të Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Personeli i KFOR-it nuk ishte i përfshirë në ekzekutimin e këtyre operacioneve. KFOR-i pret konsultime me kohë për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale", thuhet në kumtesën e misionit të NATO-s.

KFOR-i thotë se vazhdon të mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja, duke ofruar kornizën e sigurisë të nevojshme që diplomacia të ecë përpara.

"Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha bashkësive. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së KB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha bashkësitë që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për sundimin e ligjit (EULEKS), përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë", njoftoi KFOR.

Aksionin e djeshëm të policisë së kosovës e kanë cilësuar veprim të njëanshëm që mund të çojë në tensione edhe SHBA, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar, OSBE dhe të tjerë. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR