• e shtunë, 31 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Keshishev: Unë isha krahu i djathtë i Palços, nuk isha në dijeni të planeve që çuan në vrasje

Keshishev: Unë isha krahu i djathtë i Palços, nuk isha në dijeni të planeve që çuan në vrasje

Shkup, 7 prill 2025 (MIA) - Në gjykimin për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, i akuzuari Vllatko Keshishev duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Ivica Stefanovski u shpreh për ngjarjet lidhur me rastet, duke zbuluar detaje për rrëmbimin dhe vrasjen e Pançes dhe Vanjës. Ai dëshmoi edhe për rolin e tij në partinë "E Djathta" dhe për ngjarjet të cilat çuan në përfundimin tragjik.

Keshishev arsyetoi se ishte portier në partinë politike "E Djathta" ku edhe ka qëndruar. Ai konfirmoi se ka përgatitur ushqim për Palçon, për veten dhe të pranishmit, ndërsa për mysafirët dhe simpatizantët ka bërë dhe shërbyer kafe dhe lëng.

Në pyetjen nëse gjithmonë ka vepruar ashtu siç i ka thënë Palço, u përgjig "po, kam qenë krahu i djathtë i tij".

Duke u përgjigjur në pyetjen e gjyqtarit, Keshishev tregoi për përgatitjet e rrëmbimit të Pançes dhe momentin kur ka dëgjuar të shtëna, por theksoi se ishte larg nga vendi i ngjarjes. "Kur u vra Pançe, isha shumë larg dhe nuk e di se ç'farë kishte ndodhur", tha ai.

Ai tha se nuk ishte i vetëdijshëm për planet që çuan në vrasjen.

Në dëshminë e tij, Keshishev tha se është paralajmëruar të hesht për ngjarjet, duke u përgjigjur në pyetjen pse pas vrasjes së Pançes nuk ka hequr dorë.

"Herën e parë që Veljo më paralajmëroi kur mbaruam gropën se "askush nuk duhet ta dijë këtë, koka mund të fluturojnë", dëshmoi ai, duke shtuar se e kuptonte si kërcënim.

I pyetur se mbi çfarë baze e mbështet supozimin e tij se arma ishte në çantën e shpinës që mbante Palço, ai u përgjigj: "Supozimi im është se do të ishte e dukshme në rripin e personit që e mbante". Kur u pyet më tej nëse kjo do të thoshte të mbante një armë për të rrëmbyer Pançen, u përgjigj: "Nuk e dija derisa ndodhi gjithçka që ndodhi".

I pyetur se si e ka bazuar supozimin se Bore e kishte armën, ai u përgjigj se përfundimin e kishte nxjerrë nga salla e gjyqit. "Sipas asaj që u tha, se arma ishte e Bores, Bore pranoi se kishte një armë, nuk e dinte ku ishte, sipas asaj logjike mendova se ishte e tij. Përfundimin e kam nxjerrë nga salla e gjyqit", tha Keshishev.

Keshishev u përgjigj me pohim në pyetjen nëse pamjet që i shikuam në gjykatë ishin nga momenti i grabitjes.

Në lidhje me pyetjen nëse automobili Reno Kangu ishte pastruar me WD40, u përgjigj "nuk kam parë, mendoj jo".

Sipas njoftimit, pas dëgjimit të Keshishevit, duhet të dëshmojnë babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski dhe Ljupço Palevski.

Në aktakuzë thuhet se Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vllatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski, së bashku kanë planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj të ngushtë të japë para për shpërblim. Rrëmbimi i të dëmtuarit, Pançe Zhezhovski, në Veles, sipas aktakuzës, ka qenë me qëllim që ta detyrojë t'ua japë automjetin e tij Citroen, në mënyrë që ta përdorin për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.

Vanja e mitur dhe Pançe nga Velesi, u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ndërsa më 3 dhjetor të vitit 2023 u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR