• e enjte, 10 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Keshishev për herë të parë për babanë e Vanjës mësoi në paraburgim, Palevski paralajmëroi mbi 90 pyetje

Keshishev për herë të parë për babanë e Vanjës mësoi në paraburgim, Palevski paralajmëroi mbi 90 pyetje

Shkup, 4 prill 2025 (MIA) - Procesi gjyqësor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit vazhdon sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup me dëshminë e të akuzuarit Vllatko Keshishev. Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve të të akuzuarve, Keshishev dha detaje për lëvizjet e të akuzuarve në ditën e vrasjes së Pançe Zhezhovskit dhe potencoi se për herë të parë ka kuptuar për babanë e Vanjës kur është marrë në paraburgim.

Keshishev gjithashtu iu përgjigj edhe pyetjeve për bisedat e zhvilluara në selinë e partisë E Djathta para rrëmbimeve, duke thënë se ai dinte që herën e parë kur hapën gropën do të përdorej për rrëmbimin e njerëzve.

"Pas kësaj nuk kemi biseduar, me aq sa mbaj mend, derisa kjo ndodhi me Pançen në Veles", tha Keshishev.

Tha se nuk e dinte se për çfarë qëllimi është kryer grabitja dhe as nga kush do të kërkoheshin para. Ai tha se kishte parë një fotografi të personit që supozohej të rrëmbehej, siç tha ai, "pasi kishte parë publikimin në Fejsbuk".

Në lidhje me pyetjen se nëse dikush ka thirrur në praninë e tij nënën dhe babanë e fëmijës para vrasjes, ai është përgjigjur se nuk ka parë e as dëgjuar, ndërsa i pyetur nëse pas vrasjes dikush ka përmendur nënën dhe babanë e fëmijës, ai është përgjigjur se të gjithë kanë heshtur.

Në pyetjet lidhur me babain e vajzës, Aleksandar Gjorçevski, të cilin e kishte pyetur avokati Vlladimir Tufegxhiq, ai u përgjigj se për herë të parë kishte dëgjuar për Gjorçevskin kur e kishin marrë në paraburgim dhe në burg e kishte kuptuar se ai ishte babai i Vanjës.

I pyetur nëse ka parë apo dëgjuar personalisht se i akuzuari i parë Lupço Palevski ka folur në telefon me babanë e vajzës, Keshishev është përgjigjur kategorikisht: "Kurrë nuk e përcjell me kë flet".

Gjykimi vazhdoi me marrjen në pyetje të Keshishevit nga ana e të akuzuarit Lupço Palevski. Ai paralajmëroi se ka më shumë se 90 pyetje.

Sipas paralajmërimit, pas marrjes në pyetje të Keshishevit, është paraparë të dëshmojnë babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski dhe Lupço Palevski.

Në aktakuzë thuhet se Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vllatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski, së bashku kanë planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj të ngushtë të japë para për shpërblim. Rrëmbimi i të dëmtuarit, Pançe Zhezhovski në Veles, sipas aktakuzës, ka qenë me qëllim që ta detyrojë t'ua japë automjetin e tij Citroen në mënyrë që ta përdorin për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.

Vanja e mitur dhe Pançe nga Velesi u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ndërsa më 3 dhjetor të vitit 2023 u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR