• e hënë, 23 dhjetor 2024

KE-ja dha rekomandime për të shmangur mungesën e antibiotikëve në dimrin e ardhshëm

KE-ja dha rekomandime për të shmangur mungesën e antibiotikëve në dimrin e ardhshëm

Bruksel, 18 korrik 2023 (MIA) - Komisioni Evropian dhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) kanë lëshuar rekomandime për masa dhe veprime për të shmangur mungesën e antibiotikëve që përdoren për trajtimin e infeksioneve të frymëmarrjes gjatë sezonit të ardhshëm të dimrit.

"Të dhënat e disponueshme sugjerojnë se nëse kërkesa në sezonin e ardhshëm të dimrit është e ngjashme me nivelin mesatar të konsumit në vitet e mëparshme, oferta e antibiotikëve kryesorë oralë për infeksionet e frymëmarrjes do të mbulojë kërkesën në BE në dimrin e ardhshëm, theksuan nga Komisioni Evropian, duke shtuar se së bashku me EMA dhe Organizatën Evropiane të Shëndetësisë për Përgatitjen dhe Reagimin Emergjent (HERA) do të vazhdojnë të punojnë për të rritur furnizimin me disa antibiotikë intravenoz.

Rekomandimet dhe masat, siç lajmëroi raportuesi special nga Brukseli, përfshijnë prodhimtarinë e rritur të antibiotikëve kyç, monitorimin e vazhdueshëm të ofertës dhe kërkesës së tyre, si dhe rritjen e vetëdijes publike dhe përdorimin e kujdesshëm të antibiotikëve.

"Për të shmangur mungesat në sezonin e ardhshëm të vjeshtës dhe dimrit, EMA dhe HERA rekomandojnë rritjen e prodhimit. Veprimi i hershëm përpara sezonit të vjeshtës dhe dimrit duhet t'u japë prodhuesve kohë të mjaftueshme për të siguruar që ata kanë kapacitet të mjaftueshëm prodhues për të përmbushur kërkesën", njoftuan nga KE.

Komisioni shton se, së bashku me EMA dhe vendet anëtare të BE-së, ata do të vazhdojnë të monitorojnë trendin e kërkesës dhe ofertës për antibiotikë.

"Meqenëse masat e marra janë krijuar për të siguruar furnizim të mjaftueshëm, të gjithë palët e interesuara kujtohen të porosisin barnat si zakonisht, pa pasur nevojë për ruajtje. Mbajtja e barnave mund të tendosë më tej furnizimet dhe të shkaktojë ose përkeqësojë mungesat", shtohet në kumtesë.

Komisioni Evropian apelon edhe për përdorim të kujdesshëm të antibiotikëve me qëllim që të mbahet efikasiteti i tyre dhe të shmanget rezistenca antimikrobike.

"Antibiotikët duhet të përshkruhen vetëm për trajtimin e infeksioneve bakteriale. Ato nuk janë të përshtatshme për trajtimin e infeksioneve virale, si ftohja dhe gripi, ku nuk janë efektive", thekson KE, duke rekomanduar fushata për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe informimin e tyre për përdorimin e antibiotikëve.

Nga Komisioni shtojnë se ata do të vazhdojnë të monitorojnë nga afër kërkesën dhe ofertën e antibiotikëve për të zbuluar menjëherë çdo mungesë të papritur të rezervave  dhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme, duke përfshirë, nëse është e nevojshme, organizimin e furnizimeve të përbashkëta.

Çështja e furnizimit të antibiotikëve për dimrin e ardhshëm do të jetë një nga temat e takimit të Bordit Drejtues të HERA-s me përfaqësues të ministrive të shëndetësisë të vendeve anëtare, të Komisionit Evropian dhe industrisë farmaceutike të planifikuar për të enjten. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR