KE nuk e komenton anulimin e takimit Kallas-Rubio: Jemi të përkushtuar për kontakte me partnerët amerikanë
- Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të takohet me sekretarin shtetëror amerikan, Marko Rubio, konfirmoi sot Komisioni Evropian.

Bruksel, 27 shkurt 2025 (MIA) - Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të takohet me sekretarin shtetëror amerikan, Marko Rubio, konfirmoi sot Komisioni Evropian.
"Nuk kam asgjë për të shtuar për atë që është thënë tashmë. Me të vërtetë, Përfaqësuesja e Lartë nuk do të takohet me sekretarin shtetëror amerikan Marko Rubio gjatë këtij udhëtimi për shkak të problemeve në agjendën dhe nuk kam asgjë tjetër për të ndarë me ju”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Anuar El Anuni, në përgjigje të pyetjes së një gazetari nëse takimi me Rubio ishte konfirmuar nga pala amerikane përpara nisjes së Kallas për SHBA.
Zëvendës-zëdhënësja e Komisionit Evropian, Arija Podesta, shtoi se pavarësisht takimit të anuluar me Rubion, kallas ka takime me përfaqësues të tjerë të lartë të administratës amerikane.
Në pyetjen sesi KE i vlerëson marrëdhëniet e deritanishme me Uashingtonin, duke pasur parasysh takimin e anuluar mes Kallas dhe Rubios dhe faktin që kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen nuk është takuar ende me presidentin amerikan Donald Tramp, Podesta theksoi se kontaktet mes BE-së dhe Shtëpisë së Bardhë vazhdojnë në nivele të ndryshme.
Ajo theksoi se Komisioneri Evropian për tregti dhe siguri ekonomike, Marosh Shefçoviq javën e kaluar ishte për vizitë në SHBA, ndërsa Fon der Lajen pati një "takim të mirë" me nënpresidentin amerikan Xhej Di Vans.
"Një aspekt i rëndësishëm është që këto kontakte të mbahen dhe fokusi ynë është në atë që është mbi të gjitha e rëndësishme për qytetarët evropianë, për bizneset evropiane, për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë dhe për sfidat ndërkombëtare që ndajmë me partnerët tanë amerikanë. Arsyet për të qenë në kontakt janë të shumta, qofshin ato ekonomike apo gjeopolitike, dhe ne vazhdojmë të angazhohemi në këtë", shtoi Podesta.
Kallas të hënën para fillimit të takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së paralajmëroi se do të udhëtojë në SHBA për t'u takuar me sekretarin shtetëror Marko Rubio dhe përfaqësues të tjerë për të diskutuar për "nevojen për sa më shumë ndërveprim" midis BE-së dhe administratës së re amerikane, kryesisht për Ukrainën, sepse, siç tha, asnjë marrëveshje për këtë vend nuk do të ishte e mundur pa pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian.
Mirëpo dje u bë e ditur se gjatë qëndrimit dyditor në Uashington, dje dhe sot, Kallas nuk do të takohet me Rubion për shkak të “problemeve me agjendën”. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s