• e shtunë, 23 nëntor 2024

KB-ja vlerësoi se do të nevojiten 15 vite dhe miliona dollarë për t'u pastruar Gaza

KB-ja vlerësoi se do të nevojiten 15 vite dhe miliona dollarë për t'u pastruar Gaza

Nju-Jork, 15 korrik 2024 (MIA) - Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar situatën në Gazë dhe kanë arritur në përfundim flotës prej qindra kamionësh do t'i duheshin 15 vjet për të pastruar Gazën prej afro 40 milionë tonë rrënoja në një operacion që do të kushtonte midis 500 dhe 600 milionë dollarë.

Sipas një vlerësimi të publikuar muajin e kaluar nga Programi për mjedis jetësor të KB-së, në Gazë janë dëmtuar 137.297 ndërtesa, më shumë se gjysma e numrit total. Nga kjo, pak më shumë se një e katërta u shkatërruan, rreth 10 për qind u dëmtuan rëndë, ndërsa një e treta u dëmtuan mesatarisht.

Deponitë e mëdha, të cilat mbulojnë nga 250 deri 500 hektarë, do të ishin të nevojshme për heqjen e mbeturinave, varësisht nga ajo se sa mund të riciklohet, tregon vlerësimi.

Në maj, Programi i KB-së për Zhvillim (UNDP) kumtoi se rindërtimi i shtëpive në Gazë, të shkatërruara gjatë luftës, mund të zgjasë deri në vitin 2040 në skenarin më optimist, me ç'rast rindërtimi total në të gjithë territorin do të kushtojë deri 40 miliardë dollarë. Ky vlerësim, i publikuar si pjesë e një përpjekjeje për të mbledhur mjete për planifikimin e hershëm për rindërtimin e Gazës, gjithashtu zbuloi se konflikti mund të zvogëlojë nivelin e shëndetit, arsimit dhe pasurisë në territor në ato të vitit 1980, duke fshirë 44 vjet zhvillim.

"Dëmet në infrastrukturë janë të pabesueshme. Nuk ka asnjë ndërtesë të vetme të paprekur në Kan Junis, topografia aktuale ka ndryshuar. Ka kodra ku nuk kishte asnjë. Bombat prej 907 kilogramëve të hedhura nga Izraeli në fakt po ndryshojnë peisazhin", deklaroi për "Gardian" javën e kaluar një përfaqsues i KB-së me seli në Gazë. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR