• e hënë, 23 dhjetor 2024

KB-ja e shqetësuar për arrestimet e grave afgane për shkelje të kodeve të veshjes

KB-ja e shqetësuar për arrestimet e grave afgane për shkelje të kodeve të veshjes

 Kabul, 11 janar 2024 (MIA)  - Misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan sot bëri të ditur se është thellësisht i shqetësuar për shkak të arrestimeve dhe paraburgimeve  arbitrare të fundit të grave dhe vajzave nga talebanët për gjoja shkelje të kodit islamik të veshjes kur janë në publik.

Misioni në kumtesë thekson se po i heton pretendimet për abuzim dhe zhvatje të vajzave në këmbim të lirimit të tyre nga paraburgimi. 

Talebanët   javën e kaluar bënë të ditur  se kanë  arrestuar disa gra në Kabul nën akuzë se mbanin "hixhab të keq"  - shami që mbulon plotësisht flokët. 

Kjo paraqet një goditje më të re  ndaj të drejtave të grave dhe vajzave afgane, të cilat tashmë përballen me një sërë ndalimesh, duke përfshirë pamundësinë që të marrin arsim, punësim dhe qasje në hapësirat publike. 

 Në maj të vitit 2022, talebanët lëshuan një dekret me të cilin thirren  të gjitha gratë në Afganistan të mbulojnë gjithçka përveç syve, duke rekomanduar që të mbajnë "burkë" -  një mbulesë nga koka te këmbët, e ngjashme me kufizimet gjatë sundimit të mëparshëm taleban midis viteve 1996 dhe 2001.

Në kumtesën e KB-së thuhet se fushatat për imponimin e "hixhabit" në kryeqytetin Kabul dhe provincën Dejkundi janë në vazhdim  që nga 1 janari, me ç'rast një numër i madh i grave dhe vajzave janë paralajmëruar dhe arrestuar. 

Misioni i KB-së, gjithashtu  deklaroi se pakicat fetare dhe etnike janë prekur në mënyrë disproporcionale nga aksionet. 

 "Masat për zbatimin e urdhrave, të cilat përfshijnë dhunë fizike, janë veçanërisht poshtëruese dhe të rrezikshme për gratë dhe vajzat afgane", tha përfaqësuesja speciale e KB-së dhe shefe e misionit Roza Otunbaeva.

Zëdhënësi i talebanëve Zabibullah Muxhahid tha se preokupimi i KB-së me gratë afgane është i pajustifikuar dhe hodhi poshtë të gjitha akuzat. 

"Afganet mbajnë hixhab sipas dëshirës dhe nuk ka nevojë t’i detyrojmë", ka shkruar ai në rrjetin social "X". 

 Zëdhënësi i Ministrisë afgane për Promovimin e Virtyteve dhe Parandalimin e Veseve, Abdul Gafar Faruk sot i hodhi poshtë plotësisht  akuzat nga raporti se gratë dhe vajzat janë arrestuar ose rrahur për veshjen e "hixhabit të keq", duke e quajtur atë "propagandë nga mediat perëndimore".

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR