• e shtunë, 29 qershor 2024

KB paralajmëron se lufta qytetare në Sudan është para përshkallëzimit pas një viti trazira

KB paralajmëron se lufta qytetare në Sudan është para përshkallëzimit pas një viti trazira

Gjenevë, 17 maj 2024 (MIA) - Lufta qytetare në Sudan është në prag të përshkallëzimit, paralajmërojnë Kombet e Bashkuara, në përvjetorin e fillimit të luftimeve të mëdha në këtë vend të Afrikës Lindore, njofton DPA.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thekson se deri më tani të paktën 16,000 njerëz kanë vdekur në luftime, 33,000 janë plagosur dhe rreth nëntë milionë janë zhvendosur dhe tani është shfaqur edhe uria, raporton DPA.

Më shumë se një e treta e njerëzve në kryeqytetin sudanez Kartum edhe në rajonin e Darfurit tashmë po vuajnë nga mungesa akute e ushqimit, njofton OBSH-ja.

Numri i fëmijëve nën moshën pesë vjeç me kequshqyerje akute dhe grave shtatzëna dhe nënave me gji është rritur nga 3.9 milionë në fillim të vitit 2023 në 4.9 milionë në vitin 2024.

Në vend po zhvillohen beteja të përgjakshme për epërsi midis forcave të Abdel Fatah al-Burhan, gjeneral i armatës që është udhëheqësi de fakto i Sudanit dhe ish zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo i cili kryeson Forcat e mbështetjes së shpejtë paraushtarake (RSF).

Komisioneri i lartë i KB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, pati biseda të veçanta telefonike me dy gjeneralët, për herë të parë që nga viti 2022, njoftoi sot zyra e tij, raporton agjencia gjermane.

Sipas zyrës së komisionarit të KB-së, Turk iu bëri thirrje liderëve ushtarak që të fillojnë negociatat për paqen, të mos pengojnë ndihmën humanitare në vend dhe të ndalojnë krimet e kryera nga luftëtarët e tyre.

"Të dy ranë dakord se ligji ndërkombëtar humanitar duhet të respektohet", deklaroi zëdhënësja e Turk, por nuk dha asnjë detaj për reagime të mëtejshme nga të dyja palët.

Sipas zëdhënëses, nuk është biseduar për propozime specifike për negociata të reja paqësore apo takim midis dy krerëve ushtarakë. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR