Kasami: Nuk ka negociata për këmbim të ministrive
- Pas largimit të paralajmëruar të Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit nga qeveria, sektori i shëndetësisë mbetet në kuadër të "VLEN"-it dhe nuk ka paralajmërime për këmbim të posteve ministrore. Kjo ka qenë përgjigja e Bilall Kasamit, kryetar i Lëvizjes Besa sot në Tetovë në pyetjen e gazetarëve në lidhje me ndryshimet e mundshme pas largimit të paralajmëruar të Taravarit.
- Post By Fami Bajrami
- 13:49, 14 maj, 2025
Tetovë, 14 maj 2025 (MIA) - Pas largimit të paralajmëruar të Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit nga qeveria, sektori i shëndetësisë mbetet në kuadër të "VLEN"-it dhe nuk ka paralajmërime për këmbim të posteve ministrore. Kjo ka qenë përgjigja e Bilall Kasamit, kryetar i Lëvizjes Besa sot në Tetovë në pyetjen e gazetarëve në lidhje me ndryshimet e mundshme pas largimit të paralajmëruar të Taravarit.
“Kombinimet që bëhen në aspektin e ndarjes së përgjegjësive për udhëheqjen e qeverisë bëhen me marrëveshje politike, por edhe konform kapaciteteve të kuadrove që kanë parti të caktuara që janë pjesë e koalicionit qeveritar. Ministria e Shëndetësisë u kërkua nga ne sepse anëtari i koalicionit të deritashëm ka qenë Arben Taravari. Ai e kërkoi këtë dikaster dhe tani me largimin e tij ne si ‘VLEN’ jemi të gatshëm të diskutojmë edhe për kombinime të tilla, por nuk ka negociata në pjesën e Qeverisë për këmbim të ministrive dhe për momentin derisa nuk ka ndonjë situatë të re të gjitha pozicionet që kanë qenë deri tani mbeten në “VLEN”, theksoi Kasami në një aktivitet në Tetovë.
Nga ana tjetër, ministri i Mjedisit Jetësor dhe lider i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti në pyetjen e gazetarëve tha se gjithçka është në rregull me punën e qeverisë pas largimit të Aleancës për Shqiptarët.
"Ndërsa dikush kujdeset se si t’ia lehtësojë gjërat Ahmetit, ne themi dhe konfirmojmë se Qeveria është e qëndrueshme dhe për ne prioritet janë qytetarët, votuesit dhe ne përpiqemi të jemi pranë tyre çdo ditë dhe t’ua zgjidhim problemet e tyre, derisa të tjerët përpiqen t’ia lehtësojnë punët Ahmetit", ka thënë Mexhiti.
Mexhiti ka thënë se së shpejti do të publikojnë zgjidhjen përfundimtare të Ligjit për përfaqësim të drejtë, ndërsa lidhur me emrat që punojnë si ekspertë, ai theksoi se secili politikisht vendos se kë të angazhojë.
Kasami dhe Mexhiti morën pjesë në fillimin e aktiviteteve ndërtimore për rindërtimin e rrjetit të ujësjellësit në vendbanimin "Vonvardarska" në Tetovë.
Foto: MMJPH