• e mërkurë, 20 nëntor 2024

Kasami: Nuk do të votojmë për ndryshimet kushtetuese

Kasami: Nuk do të votojmë për ndryshimet kushtetuese

Shkup, 1 tetor 2023 (MIA) - Derisa nuk bëhet ndryshimi i formulimit për 20 për qindëshin e gjuhës të cilën e flasin qytetarët në gjuhën shqipe, deputetët e BESA-s nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, thotë lideri i kësaj lëvizje, Bilall Kasami.

Në një intevistë për REL, Kasami thotë se opozita shqiptare po bashkohet dhe ka hapur dyert për partitë të cilat do ta kundërshtojnë BDI-në dhe në zgjedhjet e ardhshme presidenciale paralajmëron kandidat të përbashkët të frontit opozitar. 

I pyetur për ndryshimet kushtetuese dhe pse BESA nuk mori pjesë me kandidat të saj në Grupin e punës për ndryshimet kushtetuese, Kasami tha se kanë pritur që Qeveria të jetë më e mençur dhe se "derisa qeveria nuk sheh interesim që ta dëgjojë zërin tonë, nuk do të votojmë për ndryshimet kushtetuese. Pozicioni ynë është i qartë". 

"Ne jemi pa mëdyshje pro ndryshimeve kushtetuese, sepse na e përshpejtojnë rrugën drejt BE-së. Por Qeveria tregoi edhe një herë se nuk është e interesuar të shtyjë përpara ndryshimet kushtetuese, sesa që është e interesuar të mbijetojë ditët e fundit dhe ta çojë mandatin deri në fund. Pse? Ne si lëvizje bëmë një kërkesë formale, por qëndrimi i përbashkët i opozitës shqiptare është që ndryshimet kushtetuese të përfshijnë edhe ndryshimin e formulimit të gjuhës shqipe nga 'gjuha e folur nga 20 për qind e qytetarëve' në formulimin ' gjuha shqipe'. Qeveria nuk ndjen as më të voglën përgjegjësi për ta futur në procedurë pa pasur detyrimin për të siguruar votat tona në Kuvend", sqaroi Kasami në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Kasamit, derisa BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët nuk shohin nevojën që ta hapin këtë çështje që të shohim nëse ka ose nuk ka kushte për, siç tha, e dimë edhe ne se me kë të bisedojmë në të ardhmen. 

I pytur, se a ka qenë në seancë gjyqësore më 15 shtator për pritjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë më 11 gusht, Kasami u përgjigj se nuk ka qenë, sepse nuk ka qenë këtu, por edhe se sipas tij, ajo ishte më shumë procedurë e motivuar politikisht. 

"Jo. Së pari sepse nuk kam qenë këtu, së dyti sepse vlerësoj që e gjithë procedura ka qenë më shumë e motivuar politikisht për faktin se BDI dhe Ahmeti në pushtet ndjehen të kërcënuar nga e gjithë situata që është krijuar dhe ndikimet që kanë në sistemin juridik që kanë detyruar këto gjëra të ndodhin. Më shumë, sepse në pjesën e protokollit, qeveria organizoi pritjen dhe të gjitha ato, por edhe në Tetovë të gjithë e dinë që në vende publike ishte flamuri kombëtar dhe flamuri i Republikës së Kosovës dhe në pritjen tek unë në Komunë. Kështu që, sa herë që qeveria dëshiron të fillojë diçka, gjithmonë mund të gjejë diçka për të filluar disa procedura, por ne e vlerësojmë që sistemi juridik, gjyqësori, prokuroria kanë tema shumë më të rëndësishme sesa të merren me atë nëse kryetari i Komunës së Tetovës në ndonjë moment të caktuar ka bërë ndonjë lëshim ose jo", thotë Kasami. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR