• e premte, 05 dhjetor 2025

Karni në takimin me Trampin: Kanadaja asnjëherë nuk do të jetë në shitje

Karni në takimin me Trampin: Kanadaja asnjëherë nuk do të jetë në shitje

Uashington, 6 maj 2025 (MIA) – Presidenti amerikan Donald Tramp sot i filloi bisedimet e para me kryeministrin kanadez Mark Karni, duke premtuar se do t’i ngritë “pikat e vështira” të cilat i shqyrtojnë të dyja vendet pasi Trampi vendosi dogana. Takimi në Dhomën Ovale filloi me buzëqeshje dhe përshëndetje me dorë, edhe krahas deklaratave të Trampit se dëshiron që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të amerikan, propozim i cili i përkeqësoi marrëdhëniet dypalëshe. 

Tema u ngrit shpejt kur dy liderët përgjigjeshin në pyetjet e gazetarëve. “Nuk do të bisedojmë për atë përveç nëse dikush nuk dëshiron të diskutojë”, tha Trampi, duke shtuar: Ajo do të ishte martesë e shkëlqyer. Karni i vendosur e refuzoi propozimin: Kanadaja nuk është në shitje, asnjëherë nuk do të jetë në shitje, i tha ai Trampit. “Kurrë mos thuaj kurrë”, u përgjigj Trampi. 

Në pyetjen për deklaratat e tij të mëparshme se Kanadaja mund të bëhet shteti i 51-të, Trampi tha: Për tango nevojiten dy persona dhe numëroi një varg përfitimesh që, sipas tij, kanadezët do t’i kishin, por Karni u përgjigj me kujdes: “Siç e dini nga patundshmëritë, disa vende asnjëherë nuk janë në shitje. Tani jemi në një vend të tillë – nuk është në shitje”. 

Trampi, politika doganore e të cilit i shqetësoi tregjet botërore, tha se me Karnin do të bisedojnë për “pika të vështira”, duke aluduar në bindjen e tij se SHBA-ja mundet pa produktet kanadeze. “Pa marrë parasysh të gjitha, do të mbetemi miq me Kanadanë”, shtoi ai. 

Karni, Partia Liberale e të cilit fitoi në zgjedhjet e 28 prillit me premtime për përballjen me politikat e Trampit dhe krijimin e lidhjes së re ekonomike dhe të sigurisë me SHBA-në, u zgjodh lider në mars, duke e zëvendësuar Xhastin Trudon, i cili kishte marrëdhënie të këqija me Trampin. 

Pak para mbërritjes së Karnit, Trampi shkroi në rrjetet sociale: “Dua të punoj shumë me të, por nuk mund ta kuptoj një të VËRTETË  të thjeshtë – pse Amerika e subvencionon Kanadanë me 200 miliardë dollarë në vit, plus u jep mbrojte ushtarake FALAS  dhe shumë gjëra të tjera? Nuk na duhen automobilat, energjia, lëndët e tyre të drurit, ASGJË nga ajo që e kanë, përveç miqësisë së tyre, të cilën shpresojmë se do ta ruajmë. Ata, nga ana tjetër, kanë nevojë për GJITHÇKA tonën!”.

Trampi, dukshëm, aludonte në deficitin tregtar të SHBA-së me Kanadanë. Kryesisht për shkak të importit të naftës kanadeze, edhe pse suficiti tregtar kanadez në vitin 2024 ishte 102,3 miliardë dollarë kanadezë (74,25 miliardë dollarë amerikanë). 

Në pyetjen nëse Karni mund ta bindë që t’i heqë doganat, Trampi u përgjigj: “Jo”. I pyetur pse, ai tha: Ashtu.

Kanadaja është partneri i dytë më i madh tregtar i SHBA-së pas Meksikës dhe tregu më i madh eksportues për produkte amerikane, me tregti prej mbi 760 miliardë vitin e kaluar. 

Ministria amerikane e Tregtisë njoftoi sot se suficiti tregtar i Kanadasë me SHBA-në në mars është ulur në nivelin më të ulët gjatë pesë muajve të fundit, kur doganat e Trampit për çelik dhe alumin prej 25 për qind hynë në fuqi. Eksporti kanadez në SHBA ra për 3,7 miliardë dollarë, rënia e dytë më e madhe në histori. Megjithatë, të dhënat kanadeze treguan se kjo rënie ishte gati e kompensuar me eksport të rritur në vende të tjera, sepse kompanitë kanadeze kërkonin tregje të reja. 

Pas pjesës publike të takimit, Trampi dhe Karni vazhduan me biseda private dhe shkuan në drekë, pa praninë e mediave. fc/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR