• e premte, 05 korrik 2024

Kapsollat janë të rrezikshme dhe nuk janë fare kull, fushatë për parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike

Kapsollat janë të rrezikshme dhe nuk janë fare kull, fushatë për parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike

Shkup, 26 dhjetor 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, së bashku me drejtorin e Klinikës për Kirurgji Plastike dhe Rekonstruktive, Doc. Dr.Sofia Pejkova dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Dr. Sait Saiti, në sheshin "Maqedonia", mori pjesë në ushtrimin demonstrues në kuadër të kampanjës për parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike "Pushkaliqe JO - siguria në radhë të parë", organizuar nga SPB Shkup – Njësia  për Parandalim dhe Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit, me mbështetjen e Klinikës Universitare për Kirurgji Plastike dhe Rikonstruktive. Fokusi i fushatës është vënë në rreziqet e përdorimit të pushkaliqeve dhe mjeteve piroteknike me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për rreziqet që rrjedhin nga përdorimi i paautorizuar i mjeteve piroteknike.

Në një prononcim për media, Spasovski tha se fushata “Kapsolla JO  – në radhë të parë siguria” po realizohet këtë vit në partneritet me Klinikën Universitare për Kirurgji Plastike me qëllim që të ndikohet në vetëdijen e qytetarëve dhe të rinjve që të mos përdorin mjete piroteknike. “Ekipet e përbashkëta nga Njësitë për parandalim të MPB-së dhe mjekë nga Klinika e Kirurgjisë Plastike gjatë këtij muaji vizituan mbi 50 shkolla të mesme në Shkup dhe në mbarë vendin, ku u mbajtën më shumë se 200 prezantime dhe aktivitete parandaluese me këtë temë. Më shumë se 5000 fëmijëve u shpjeguan drejtpërdrejt pasojat e përdorimit të pushkaliqeve nga pikëpamja mjekësore, si dhe sanksionet që pasojnë gjatë përdorimit të tyre.

“Pushkaliqet  nuk janë lodër, përdorimi i tyre është rreptësisht i ndaluar dhe gjuajtja festive me kapsolla mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme për jetën dhe shëndetin, duke lënë pasoja jashtëzakonisht të vështira që mund të vulosin jetën e një të riu. Mesazhi nga të gjithë ne thotë: Pushkaliqet  janë të rrezikshme, të dëmshme dhe aspak "cool", tha Spasovski.

“Ministria e Punëve të Brendshme, në kuadër të kompetencave të saj, vetëm vitin e kaluar ka sekuestruar 86.639 copë lëndë piroteknike, ndërsa këtë vit deri në nëntor janë rreth 21.000 copë dhe vetëm në 10 ditët e fundit janë sekuestruar rreth 40.000 lëndë të ndryshme piroteknike  dhe ky numër do të vazhdojë të rritet. Këto aktivitete të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë të vazhdueshme, me dinamikë të shtuar para dhe rreth festave të fundvitit, duke pasur parasysh edhe shenjën sezonale të piroteknikës, të gjitha me synim rritjen e ndërgjegjësimit tek të rinjtë, por edhe me prindërit e tyre, duke theksuar se pushkaliqet  nuk janë lodra, por mjete të rrezikshme që mund të shkaktojnë pasoja të pakompenzueshme dhe të përhershme për shëndetin e të rinjve - theksoi ministri Spasovski.

Spasovski theksoi se me fushatat e realizuara intensive dhe aktivitetet parandaluese, viti i kaluar ka kaluar pa asnjë lëndim të regjistruar nga pushkaliqet  dhe mjetet piroteknike, dhe MPB-ja vazhdon të veprojë në këtë drejtim edhe këtë vit.

“Është alarmante që duart janë në rrezik më të madh të lëndimit nga pushkaliqet, të cilat janë thelbësore për aktivitetet tona të përditshme. Edhe një shpërthim i vogël mund të çojë në paaftësi të përhershme, e cila më tej ndikon si në aftësitë fizike ashtu edhe në mirëqenien emocionale”, tha doktor Pejkova.

Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq, dr. Sait Saiti theksoi se Kryqi i Kuq, në prag të festave të Vitit të Ri, kur vërehet një përdorim më i madh i mjeteve piroteknike, i bashkohet fushatës së MPB-së, që synon mbarë popullatën për të sensibilizuar opinionin  për rreziqet që dalin nga përdorimi i pushkaliqeve.

“Në fushën e parandalimit, vullnetarët tanë do të theksojnë pasojat negative që mund të ndodhin si rezultat i përdorimit të pushkaliqeve, do të simulojnë dëmtime që mund të jenë jashtëzakonisht të rënda për sigurinë dhe shëndetin e çdo individi dhe do të bashkohen me përpjekjet e përgjithshme për të kapërcyer përdorimin e pushkaliqeve dhe mjeteve  të tjera piroteknike që mund të shkaktojnë lëndime të rënda”, theksoi Saiti.

Në ushtrimin demonstrues morën pjesë vullnetarë nga Kryqi i Kuq, ku morën pjesë edhe nxënës të shkollave të mesme të Mjekësisë “Pançe Karagjozov” dhe gjimnazit “Josip Broz Tito” nga Shkupi. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR