Kapaciteti i Armatës po shtohet, 29 automjete të reja të blinduara nga SHBA-ja
- Investimi në modernizimin e Armatës dhe dy korridoret shumë të rëndësishëm, përkatësisht Korridori 10 dhe Korridori 8 janë prioritete të Qeverisë, theksoi sot kryeministri Hristijan Mickoski i cili së bashku me ambasadoren e SHBA-së, Anxhela Ageler dhe ministrin e Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe shefin e Shtatmadhorisë së Armatës, Sashko Lafçiski morën pjesë në prezantimin e 29 automjeteve të reja të blinduara të lehta - JLTV në kazermën "Jane Sandanski" në Shtip.
- Post By Fami Bajrami
- 14:50, 15 gusht, 2025
Shtip, 15 gusht 2025 (MIA) - Investimi në modernizimin e Armatës dhe dy korridoret shumë të rëndësishëm, përkatësisht Korridori 10 dhe Korridori 8 janë prioritete të Qeverisë, theksoi sot kryeministri Hristijan Mickoski i cili së bashku me ambasadoren e SHBA-së, Anxhela Ageler dhe ministrin e Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe shefin e Shtatmadhorisë së Armatës, Sashko Lafçiski morën pjesë në prezantimin e 29 automjeteve të reja të blinduara të lehta - JLTV në kazermën "Jane Sandanski" në Shtip.

Kryeministri Mickoski theksoi se të dy Korridoret 10 dhe 8 tani dhe në të ardhmen paraqesin logjistikë të shkëlqyer për Krahun jugor të NATO-s dhe siç tha ai, "atje ku ne si Maqedoni i përkasim është një nga ambiciet dhe planet tona kryesore në vitet që vijnë".
"Kur flasim për investim në Armatë, flasim edhe për modernizimin dhe ndërtimin e dy korridoreve shumë të rëndësishme – Korridorit 10 dhe Korridorit 8 – të cilët në thelb jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen do të paraqesin një logjistikë të shkëlqyer për Krahun jugor të NATO-s, ku edhe ne si Maqedoni bëjmë pjesë dhe kjo është një nga ambiciet dhe planet tona kryesore për vitet që do vijojnë: modernizimi i Armatës, furnizimi me atë që është e nevojshme, përcaktimi dhe realizimi i prioriteteve nga aspekti i pajisjeve si dhe modernizimi dhe konstruimi i këtyre dy korridoreve të rëndësishme logjistike për NATO-n, veçanërisht për Krahun jugor të NATO-s", tha Mickoski.
Si kryetar i Qeverisë, gjithmonë një nga prioritetet e mia kryesore ka qenë siguria e shtetit, ruajtja e paqes dhe stabilitetit të vendit, sepse këto janë kushtet themelore që të mund të zhvillojmë një shoqëri që do të ecë përpara dhe e cila do të ofrojë ardhmëri për të gjithë qytetarët, hallkë e pandashme e këtyre ambicieve kuptohet është edhe Armata e Maqedonisë.

Ambasadorja e SHBA-së, Ageler në fjalimin e saj tha se që nga fillimi i Programit të vitit 2019, kanë ndihmuar në dorëzimin e 67 automjeteve të kësaj natyre, të cilat janë teknologjia më e fundit, duke përfshirë edhe këto automjete.
"Këto automjete të lehta të blinduara do të jenë dhe do të paraqesin shtyllën e Maqedonisë së Veriut dhe konkretisht Grupit të batalionit të këmbësorisë së lehtë që në fakt është një pasqyrim fizik i rolit që keni si një aleat i NATO-s. Në të njëjtën kohë, ato paraqesin një mishërim të mbështetjes së vazhdueshme të SHBA-së për Maqedoninë e Veriut dhe aftësitë e saj mbrojtëse, si dhe qëllimet tona të përbashkëta të sigurisë", ka thënë Ageleri.
Ambasadorja e SHBA-së shtoi se Samiti i NATO-s këtë verë tregoi se investimi në gatishmërinë ushtarake është më shumë se një prioritet dhe është një realitet dhe një domosdoshmëri.
"Me këto automjete në arsenalin tuaj, Maqedonia e Veriut dhe forcat e Maqedonisë së Veriut do të jenë më të përgatitura për t'u përballur me sfidat e mbrojtjes sonë kolektive, sot dhe në të ardhmen. Para 30 vjetësh SHBA formalisht njohën këtë vend dhe lidhën marrëdhënie dypalëshe të cilat ende i respektojmë deri më sot", ka thënë Ageleri.

Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski në prezantimin e sotëm të 29 automjeteve të reja të blinduara të lehta - JLTV në kazermën "Jane Sandanski" në Shtip, theksoi se kapacitetet e Armatës vazhdojnë të forcohen. 29 automjetet e reja të blinduara janë furnizuar përmes marrëveshjes qeveri-qeveri dhe pritet të mbërrijnë automjete të reja të blinduara të cilat janë gjithashtu të prodhimit amerikan.
"Automjetet që i shohim këtu në kazermën 'Jane Sandanski' në Shtip janë paraparë për Grupin e batalionit këmbësorik të lehtë, njësinë tonë të deklaruar e cila do të jetë e gatshme të dërgojë misione në rast nevoje", ka thënë Misajllovski.
Foto: MIA