• e premte, 05 dhjetor 2025

Kandidati i AKI-së për kryetar komune të Dibrës, Fetahu përmes fushatës në terren i prezantoi prioritetet

Kandidati i AKI-së për kryetar komune të Dibrës, Fetahu përmes fushatës në terren i prezantoi prioritetet

Dibër, 8 tetor 2025 (MIA) – Kandidati për kryetar të komunës Dibër, nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Ilirian Fetahu, në takimet me qytetarët, në kuadër të fushatës zgjedhore në terren, premton angazhim maksimal, transparencë të plotë dhe “bashkë me qytetarët ngritjen e vlerave të qytetit me qëllim që Dibra të bëhet qytet – shembull për sukses”. 

“Vizitojmë çdo shtëpi, bisedojmë me qytetarët të cilët na presin ngrohtësisht, duke prezantuar vizionin tonë, me të cilin do të angazhohemi për zhvillim të qëndrueshëm urban dhe ekonomik, infrastrukturë moderne dhe shërbime digjitale, forcimin e rolit vendimtar të të rinjve, barazinë gjinore dhe komunikimin e hapur me qytetarët, bashkëpunimin me biznesin lokal, sektorin joqeveritar, klubet sportive dhe shoqatat kulturore”, tha Fetahu për MIA-n.

Shton se në mesin e shumë prioriteteve, është përgatitja e planit të përgjithshëm urbanistik, mjedis i pastër jetësor, rindërtim i sheshit “Skënderbeu”, ndërtimi i hapësirës për parking, formimi i qendrës rinore dhe këshillit rinor, si dhe modernizim i sektorit për mirëmbajtje të higjienës komunale. 

Gjithsesi, thekson, këtu është edhe zhvillimi i turizmit, për çka komuna disponon me kushte ideale, pasuri natyrore, monumente të rëndësishme kulturore – historike. Prioritet i veçantë, sipas tij, do të jetë formimi i Qendrës për Mbështetje të Personave me Autizëm. 

“Me një fjalë, misioni im është të menaxhoj komunën me integritet, transparencë dhe profesionalizëm, të ndërtoj administratë efikase, të kem mjedis të pastër dhe shërbime cilësore për çdo qytetar. Prandaj nuk kërkoj një shans për pushtet, por një mundësi për bashkëpunim të sinqertë në mënyrë që së bashku të ndërtojmë një qytet modern që do të jetë shembull suksesi”, premton ai.

Fetahu (51), i cili fushatën e zhvillon nën sloganin “Bashkë për Dibrën”, shkollën fillore dhe të mesme e ka përfunduar në Dibër, ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Tiranë, drejtimi matematikë. Më shumë se dy dekada është profesor në gjimnazin e Dibrës “28 Nëntori”. Është i martuar dhe është baba i dy fëmijëve. 

Koalicioni AKI, ka edhe listën e kandidatëve për këshillin 15-anëtarësh të komunës, bartësi i së cilës është Artan Spahiu. fc/

Foto: Fetahu në FB

QËNDRONI TË LIDHUR