• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kanceri i prostatës është shkaku i dytë i vdekjes tek meshkujt, mjekët rekomandojnë ekzaminime dhe kontrolle të rregullta

Kanceri i prostatës është shkaku i dytë i vdekjes tek meshkujt, mjekët rekomandojnë ekzaminime dhe kontrolle të rregullta

Shkup, 3 nëntor 2024 (MIA) - Skrining, vizitë në kohë te urologu dhe mos heshtje për problemet, janë rekomandimet që mjekët dhe psikologët i bëjnë me rastin e muajit të shëndetit të meshkujve. Kanceri i prostatës është shkaku i dytë i vdekjes tek meshkujt dhe për këtë arsye mjekët rekomandojnë që të ekzaminohen të paktën një herë në vit.

Në një bisedë për MIA-n, ata theksojnë se kontrolli dhe kërkimi në kohë i ndihmës mjekësore mund të parandalojë pasojat fatale të sëmundjes. Përveç mbështetjes mjekësore, mbështetja e njerëzve të dashur dhe e komunitetit të gjerë është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Drejtori i Klinikës së Urologjisë në Shkup, Bashkim Shabani, thotë se pacientët vijnë kur kanceri i prostatës tashmë është në fazë më të avancuar. Rekomandimi i tij është që me depistimin e mirë dhe diagnostikimin në kohë të sëmundjes, prognoza do të jetë shumë më e mirë se kur pacientët vijnë në fazën e avancuar.

Karcinoma e prostatës shfaqet më së shumti te pacientët e moshuar, mbi 45-50 vjeç dhe për këtë arsye doktor Shabani rekomandon që personat mbi 50 vjeç të vizitojnë mjekun urolog të paktën një herë në vit.

Në fillim të sëmundjes, simptomat nuk janë shumë të dukshme. Shumë pacientë mendojnë se këto janë simptoma të një infeksioni. Fjala është për ankesat me urinim të shpeshtë dhe nevojën për të urinuar gjatë natës.

“Në fillim simptomat mund të jenë të padukshme, kështu që pacientët kryesisht i injorojnë simptoma të tilla. Ata mendojnë se do të kalojë. Megjithatë, nëse kanceri i prostatës është në një fazë më të avancuar, tashmë ka simptoma më të theksuara. Mund të ketë një problem me pamundësinë për të urinuar, praninë e gjakut në urinë dhe një sërë problemesh të tjera. Përveç kancerit të prostatës, ka edhe të tjerë. Incidenca e të gjithë kancereve në përgjithësi është rritur. Këtu është i pranishëm kanceri i veshkave, fshikëzës të urinës, gjëndrës mbiveshkore, të gjithë traktit urinar. Megjithatë, tumoret e kancerit të fshikëzës, veshkave dhe prostatës janë sëmundjet më të shpeshta tek pacientët që vijnë në Urologji”, thotë doktor Shabani.

Megjithatë, shton ai, kohët e fundit ndërgjegjësimi po ndryshon dhe ka më pak paragjykime.

Sipas tij, në vend ka vizita të mjaftueshme të pacientëve për sa i përket praktikës së vizitës tek urologu, por sa i përket ekzaminimeve skrining, mjeku Shabani thotë se nëse pacienti nuk ka ndonjë problem, nuk mendon fare për depistimin.

“Pacientët duhet të jenë të vetëdijshëm se me zbulimin e hershëm të sëmundjes ka një prognozë shumë më të mirë se kur tashmë ka një stad të zhvilluar. Ky apel duhet të arrijë tek të gjithë - pas moshës 45-50 vjeç, nëse dikush ka një histori familjare pozitive të kancerit urologjik, të vizitojë një urolog të paktën një herë në vit. Apo ndoshta përmes mjekut të familjes të bëhen analizat bazë dhe nëse ka dyshime të ketë një referim te urologu”, shpjegon doktor Shabani.

Ai apelon që moshat mbi 45-50 vjeç të bëjnë të paktën një depistim, megjithëse shton se nuk është keq që të bëjnë edhe më të rinjtë.

Demistifikim, jo ​​“nën tapet”!

Për sa i përket aspektit psikologjik, pse ka ende paragjykime për shëndetin e meshkujve, folëm me psikologun Fiki Gaspar, sipas të cilit paragjykimet kanë rënë kohët e fundit.

Ka ikur koha kur kishte një stigmë dhe mendohej se burrat duhet të jenë të fortë dhe të mos ankohen. Ka ikur koha, thotë Gaspari, kur në terma popullore problemet viheshin “nën tapet” dhe ke rritje të ndërgjegjësimit, flitet hapur për gjërat dhe kërkohet në kohën e duhur ndihma profesionale.

Sipas Gasparit, të rinjtë janë ata që më shpesh kërkojnë mbështetje në këtë kuptim, ndërsa ata të moshës së tretë janë më të lidhur me mënyrën se si kanë funksionuar më parë.

“Varet nga individi. Ka ende nga ata që vijnë për bisedë e mjekim dhe e fshehin. Në të shumtën e rasteve është për shkak të mjedisit. Shumicën e rasteve ambienti i tyre, familja apo mjedisi më i gjerë, jo se nuk e pranojnë, por e shohin të gjithën pak më ndryshe. Në të kundërt, ka ambiente ku një nga të afërmit e ka kaluar dhe është krejtësisht normalizuar, çmitizuar”, thotë Gaspar.

Bllazhe Darudov

Video: Asllan Vishko, Sërgjan Kërstiq

Foto: Arkivi I MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR