• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kam informacione për raste sporadike të përpjekjeve për asimilimin e maqedonasve në Shqipëri nga ana e Bullgarisë, thotë Xhaçka

Kam informacione për raste sporadike të përpjekjeve për asimilimin e maqedonasve në Shqipëri nga ana e Bullgarisë, thotë Xhaçka

Shkup, 27 mars 2023 (MIA) - Gati gjysma e diskutimit në takimin e sotëm në Shkup mes ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ministres shqiptare për Punë të Jashtme dhe Evropë, Olta Xhaçka ishte e dedikuar në përpjekjet për asimilim të qetë të maqedonasve në Shqipëri nga ana e Bullgarisë.

Këtë sot në konferencë për media e deklaroi Osmani, duke u përgigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me ankesat e maqedonasve në Shqipëri për asimilim bullgar dhe presionit nga Bullgaria. Ai theksoi se është kërkuar qëndrim nga Tirana, ndërsa sipas informacioneve të Xhaçkës bëhet fjalë për raste sporadike.

"Kërkuam mendim, qëndrim nga Republika e Shqipërisë, megjithatë informacionet e ministres janë se deri më tani rastet e tilla janë vetëm sporadike, me çka është bërë përpjekje për shfrytëzimin e një vakumi mes miratimit të ligjit dhe aktit nënligjor të cilin do të bëjnë përpjekje që ta adresojnë. Në Ministri ekziston grup i punës i cili në bazë ditore i ndjek ato rrjedha, propozon hapa konkretë, ndërsa së shpejti njëjtë edhe Qeveria do të debatojë në atë temë", informoi Osmani.

Ai theksoi se i kanë prezantuar vërejtjet dhe informacionet dhe kanë kërkuar mbështetje për maqedonasit në Republikën e Shqipërisë. "Unë i vizitova vitin e kaluar dhe bëmë plan qeveritar për mbështetje të maqedonasve aty. Ajo që është e ndryshme në Shqipëri, nga përpjekjet e njëjta të ngjashme edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në shtete të tjera është që insiston në atë deklaratë për vetëdeklarim që të konfirmohet edhe në zgjedhjet lokale komunale, që është një moment i ri i përfshirjes së shtetit në deklarimet e tilla", tha Osmani.

Ministrja Xhaçka në pyetjen çka bën Qeveria shqiptare rreth kësaj theksoi se bëhet fjalë për raste sporadike.

"Kam informacione për disa raste sporadike të cilat i shqyrtojmë, jemi në koordinim të ngushtë me institucionet e Maqedonisë së Veriut që të shohim çka janë ato, kush është vetë deklaruar ose sa është i madh ky proces, por sipas njohurive të deritanishme nuk është i madh. Çdo informacion të cilin do ta kemi në kohë reale do ta ndajmë shpejtë me kolegët nga Maqedonia e Veriut", tha Xhaçka.

Ajo shtoi se Shqipëria asnjëherë nuk i ka mbyllur sytë para Sofjes zyrtare. 

"Përkundrazi, ne kemi qenë mjaft të zëshëm, Shqipëria ka qenë mjaft e zëshme që një anëtar i BE-së nuk mund të bllokojë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përmes bazave historike apo kalkulimeve politike. Do të thotë se ky është një proces meritokracie, ne i përmbushim të gjitha detyrimet tona, i bëjmë detyrat. Momenti ku jemi sot është diçka që ka rëndësi gjeostrategjike, veçanërisht për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila ka bërë që Evropa të kuptojë se ka nevojë për një qasje shumë më aktive ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe në lidhje me atë që po ndodh sot me dialogun Kosovë-Serbi, i cili ka potencial për të normalizuar këtë situatë, por edhe me elementët e tjerë që përmendëm, me statusin e kandidatit për anëtarësim të Bosnjës e Hercegovinës, është ndërgjegjësimi se procesi i zgjerimit është i lidhur ngushtë me sigurinë jo vetëm të rajonit, por edhe të vetë BE-së", deklaroi Xhaçka.

Ministrja shqiptare theksoi edhe se ngjarja e sotme ka rëndësi të madhe gjostrastegjike. 

"Nëse jemi përgjegjës dhe të vetëdijshëm ne që jemi pjesë e këtij procesi për detyrat dhe obligimet, të cilat duhet t'i plotësojmë, atëherë përgjegjëse dhe të vetëdijshme duhet të jenë edhe vendet-anëtare të BE-së. Parandalimi i këtij procesi nuk i bën dëm vetëm shteteve tona, por edhe prosperitetit, stabilitetit dhe sigurisë së vetë Bashkimit Evropian", vlerësoi Xhaçka. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR