• e premte, 05 dhjetor 2025

Kallas: Shpresojmë dhe punojmë në atë që “plani A" për integrimin në BE të ketë sukses, nëse kjo nuk ndodhë do të kalojmë në fazën tjetër

Kallas: Shpresojmë dhe punojmë në atë që “plani A

Shkup, 23 maj 2025 (MIA) - Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për punë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas doli me porosi se integrimi evropian i vendit mbetet prioritet, por se ekziston edhe gatishmëri për qasje të reja nëse procesi aktual mbetet në udhëkryq.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski në Shkup, duke iu përgjigjur pyetjes nëse BE-ja ka "plan B" për Maqedoninë e Veriut, ngjashëm si me Ukrainën, Kallasi theksoi se fokusi mbetet në rrugën bazë.

"Si me rastet e tjera që përmendët. Ne përqendrohemi në 'planin A' dhe përpiqemi që të funksionojë 'plani A'. Sepse kur kaloni në 'planin B', atëherë 'plani A' del nga loja. Mund të dukem sikur po flas në mënyrë të koduar, por dua t'ju them se ne ende shpresojmë që 'plani A' do të funksionojë dhe do të ketë sukses. Punojmë drejt kësaj, nëse jo, atëherë do të kalojmë në fazën tjetër", ka thënë ajo.

Lidhur me mekanizmat e mundshëm për zhbllokimin e procesit eurointegrues, Kallas konfirmoi se Brukseli është i vetëdijshëm për pengesat dhe punon për t'i tejkaluar ato.

"Së pari, është e qartë se duam që Maqedonia e Veriut të ecë vërtet në këtë rrugë dhe e dimë se ka pengesa dhe e diskutuam këtë sot në mënyrë që të gjejmë mekanizma për t'i tejkaluar ato pengesa", ka thënë ajo.

Ndërsa, në pyetjen e mosintegrimit të Ballkanit Perëndimor dhe nëse kjo përbën kërcënim, ajo u përgjigj se është e rëndësishme që të gjithë të jenë të integruar plotësisht.

"Nëse e shohim pamjen e përgjithshme të botës, sigurisht që shohim qartë se ka ndryshim midis fuqive të mëdha, ka ndryshime tektonike. Ballkani Perëndimor sigurisht është pjesë e Evropës dhe është e rëndësishme që të gjithë të jemi plotësisht të integruar. BE-ja është një projekt paqësor dhe kjo mundëson uljen e tensioneve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Prandaj vlerësoj se kjo është edhe çështje e sigurisë," theksoi ajo.

Në konferencën e sotme për shtyp, Kallas tha se Bashkimi Evropian mbetet me Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt integrimit të plotë.

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR