• e premte, 05 dhjetor 2025

Kallëzim penal për Deharin, si kryetar i Komunës së Kërçovës për shërbime avokatie ka dëmtuar buxhetin komunal me rreth 64.000 euro

Kallëzim penal për Deharin, si kryetar i Komunës së Kërçovës për shërbime avokatie ka dëmtuar buxhetin komunal me rreth 64.000 euro

Kërçovë, 26 maj 2025 (MIA) - Kryetari i Komunës së Kërçovës ka lidhur në mënyrë të paligjshme disa kontrata për ofrimin e shërbimeve juridike, duke dëmtuar buxhetin e komunës rreth 64.000 euro. SPB Ohër sot njoftoi se Njësia e punëve të brendshme e Kërçovës ka iniciuar kallëzim penal kundër F.D. (51) nga fshati Sërbicë e Kërçovës, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale sipas nenit 353 të Kodit penal, "Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar". 

"Personi në periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2024, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kërçovës, me vetëdije dhe me paramendim, me qëllim për të siguruar përfitim të konsiderueshëm pronësor për të tjerët, ndërsa në dëm të komunës ka lidhur në mënyre të paligjshme disa kontrata për kryerjen e shërbimeve të avokatisë me avokatë nga Kërçova, edhe pse në kuadër të komunës së Kërçovës ekziston sektori për çështje juridike me gjithsej 37 të punësuar, të cilët kanë të drejtë të përfaqësojnë komunën para gjykatave në vend", shpjegoi zëdhënësi Stefan Dimoski.

Me këtë, theksohet se i raportuari e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e ligjeve për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, për vetëqeverisje lokale dhe furnizime publike, ka shkelur dispozitat e Ligjit për procedurë civile dhe Rregullores për sistematizimin e vendeve të punës, duke u mundësuar avokatëve të privilegjuar në dëm të buxhetit të Komunës së Kërçovës të përfitohen në mënyrë të paligjshme pasuri në vlerë prej 3.938.420 denarë ose rreth 64.000 euro. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR