• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kakuris për MIA-n: Është e rëndësishme për ekonominë gjatë zgjedhjeve të ketë konsolidim fiskal dhe minimizim të pozicioneve qorr-sokak politike

Kakuris për MIA-n: Është e rëndësishme për ekonominë gjatë zgjedhjeve të ketë konsolidim fiskal dhe minimizim të pozicioneve qorr-sokak politike

Shkup, 18 shkurt 2024 (MIA) - Nënkryetari i ri i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) për Ballkanin Perëndimor, Kirijakos Kakuris, në intervistë për MIA-n, porositë se në periudhën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe presidenciale, kyçe për ekonominë do të jetë vazhdimi i konsolidimit gradual fiskal dhe minimizimi të pozicioneve politike qorr-sokak.

Ajo që është gjithashtu e rëndësishme, sipas Kakurasit, është ruajtja e atraktivitetit të investitorëve të huaj.

- Ekonomia e Maqedonisë së Veriut është treguar rezistente ndaj pasigurisë dhe jostabilitetit që i karakterizon tregjet globale. Në vitin 2023, rritja e konsumit privat dhe eksportet dinamike mbështetën aktivitetin ekonomik, duke kompensuar pjesërisht erërat e jashtme kundërshtuese, e veçanërisht ngadalësimin në Gjermani, e cila është partneri kryesor tregtar i Maqedonisë së Veriut. Në të ardhmen, konsumi i brendshëm pritet të vazhdojë të zgjerohet gjatë vitit 2024 për shkak të uljes graduale të inflacionit, ndërsa puna ndërtimore në korridoret panevropiane VIII dhe X do të rezultojë në investime të reja, duke mbështetur rritjen ekonomike", shprehet Kakurisi.

Në intervistën e mëposhtme, Kakurisi shpjegon se çfarë i duhet vendit për të kaluar më lehtë në një ekonomi të gjelbër dhe zbulon se Maqedonia e Veriut do të jetë një nga vendet pilot ku BEI do të zbatojë qasjen e saj të re të tranzicionit të drejtë, në mënyrë që të rrisë financimin dhe shërbimet këshilluese për të mbështetur dekarbonizimin.

Intervistën e transmetojmë të plotë:

Banka Evropiane e Investimeve është një nga institucionet financiare ndërkombëtare që mbështet zhvillimin e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në fushën e mbështetjes së bizneseve të vogla, infrastrukturës dhe ekonomisë së gjelbër. Cilat janë planet për periudhën e ardhshme, sa mjete do të orientohen drejt Maqedonisë së Veriut?

- Faleminderit për mundësinë për të folur për MIA-n. BEI ka qenë tradicionalisht partner i gjatë i vendit duke siguruar 1.6 miliardë euro deri më sot për ndërtimin e rrugëve të reja, hekurudhave, energjisë dhe rrjeteve të ujit, njëherësh duke kontribuar në rritjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM). Kreditimi ynë mbështet fuqimisht procesin e aderimit të vendit në BE, duke përfshirë edhe atë përmes Ekipit Evropa dhe Planit ekonomik dhe investues rajonin, me fokus në agjendën e gjelbër, tranzicionin digjital, ndërlidhjen dhe bizneset e vogla.

Në kuadër të BEI Global, nënshkruam një shumë rekorde të lartë prej 494 milionë euro për Maqedoninë e Veriut në vitin 2023, nga të cilat 219 milionë euro janë grante të kanalizuara përmes Kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor. Ne po kontribuojmë me 325 milionë euro (175 milionë euro kredi dhe 150 milionë euro grante) të nënshkruara tashmë në vitin 2023 në paketën financiare të BE-së prej 570 milionë eurosh për fazën e tretë të pjesës lindore të rrjetit hekurudhor të Korridorit VIII - ndërtimi i një hekurudhe 24 kilometra midis Kriva Palankës dhe kufirit me Bullgarinë, si dhe elektrifikimi i hekurudhës 88 kilometra midis Kumanovës dhe kufirit bullgar. Projekti është pjesë e Iniciativës Porta Globale e BE-së, e cila synon të zgjidhë boshllëqet ekzistuese të infrastrukturës në mbarë botën.

Lidhur me projektet e reja që planifikojmë të nënshkruajmë për vendin, synojmë të vazhdojmë të mbështesim ndërtimin e akseve hekurudhore të Korridorit VIII, zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe projekte të reja për energjinë e ripërtërishme dhe efikasitetit energjetik, të cilat janë me rëndësi strategjike për tranzicionin e gjelbër të vendit.

Sa jeni të kënaqur me shfrytëzimin e deritanishlm të mjeteve të dedikuara për Maqedoninë e Veriut?

- Niveli i pagesës për vendin deri më tani ka qenë shumë i kënaqshëm. Përmes përfaqësisë sonë të vendosur në Shkup dhe ekipeve të forcuara lokale, ne shohim potencial të madh në vazhdimin e mbështetjes së rritjes së qëndrueshme të vendit me mbështetjen tonë të favorshme financiare për Maqedoninë e Veriut, të kombinuar me asistencë teknike.

Sfida kryesore për shfrytëzimin e mjeteve është kapaciteti i kufizuar për menaxhimin e projekteve dhe implementimin e projekte të mëdha të sektorit publik. Po përpiqemi ta rregullojmë këtë përmes ndihmës teknike plotësuese dhe ofertës këshilluese. Për shembull, BEI ofron ekspertizë teknike për zhvillimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e projekteve, e gjithashtu falë ekspertëve të tij nga ekipi këshillimor i JASPERS, ndihmës së përbashkët nga BEI dhe Komisioni Evropian për të mbështetur projektet në rajonet e Evropës dhe Ballkanit Perëndimor. Mbështetja teknike në kuadër të këtij programi pritet të trefishohet gjatë gjashtë viteve të ardhshme për Ballkanin Perëndimor, siç është njoftuar nga Komisioni Evropian dhe BEI në vitin 2023. Në këtë mënyrë, BEI ngre gjithashtu kapacitetin e partnerëve lokalë në sektorin publik dhe privat për të konkurruar për mjetet e BE-së dhe i ndihmon ata të bëhen të vetëqëndrueshëm në tërheqjen e fondeve për projektet e tyre.

Në sektorin privat, bashkëpunimi midis BZHMV dhe BEI globalisht ka mundësuar që deri më sot të ndahen 601 milionë euro për të mbështetur më shumë se 2.420 kompani lokale. Përmes këtij modeli partneriteti, vetëm që nga viti 2019, BEI ka siguruar 266 milionë euro investime të BE-së për kompanitë në Maqedoninë e Veriut, duke ruajtur më shumë se 57.000 vende pune dhe duke krijuar 1.944 vende të reja pune.

Çfarë duhet të bëjë Maqedonia e Veriut për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër?

- Për të forcuar investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, Maqedonia e Veriut duhet të rrisë përdorimin e mekanizmave mbështetës të bazuara në treg dhe të eliminojë subvencionet e mbetura të thëngjillit. Gjithashtu, procedurat përkatëse administrative dhe investuese duhet të modernizohen dhe sistemi i energjisë elektrike të përditësohet për fleksibilitet më të madh. Në mënyrë të ngjashme, sistemi mbështetës për efikasitetin energjetik në ndërtesa duhet të forcohet dhe të funksionalizohet plotësisht.

Si financuesit më të mëdhenj të projekteve të gjelbra (49 miliardë euro të nënshkruara në vitin 2023 në nivel global), ne tashmë jemi të përfshirë në përgatitjen e projekteve të energjisë së ripërtërishme dhe efikasitetit energjetik në të gjithë rajonin, së bashku me modernizimin e infrastrukturës energjetike.

Banka është anëtare e Iniciativës së rajoneve me thëngjill në tranzicion të Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës të udhëhequr nga KE, e cila kërkon të ndihmojë vendet dhe rajonet të largohen nga thëngjilli dhe drejt një ekonomie neutrale ndaj karbonit, duke siguruar një rezultat pozitiv socio-ekonomik. Shembull i kësaj është Deklarata e platformës së investimeve në tranzicion të drejtë për Maqedoninë e Veriut, që duhet të sigurojë investime prej 3 miliardë eurosh, ndihmë politike dhe teknike për vendin për të vendosur 1.7 GW energji në kapacitetet e reja të energjisë së ripërtërishme deri në vitin 2030.

Kjo platformë synon të mobilizojë investime, ndihmë politike dhe teknike për të ndihmuar vendin në rrugën e tij ambicioze të dekarbonizimit. Së bashku me kolegët tanë nga sektori financiar, shpresojmë që ky mekanizëm koordinimi do të ndihmojë vendin të kalojë nga një qasje projekt pas projekti në një qasje holistike, duke mundësuar investime të synuara, në shkallë të gjerë, duke siguruar tranzicion të barabartë të gjelbër që mbron bashkësitë e rrezikuara maqedonase.

Krahas kësaj, Maqedonia e Veriut do të jetë një nga vendet pilot ku BEI do të zbatojë qasjen e saj të re të Tranzicionit të drejtë në mënyrë që të rrisë financimin dhe shërbimet këshilluese për të mbështetur dekarbonizimin. Gjatë fazës fillestare të zbatimit, e cila do të zgjasë nga viti 2024 deri në vitin 2025, ne do të jemi në gjendje të mbështesim investimet në burimet e ripërtërishme të energjisë dhe efikasitetin energjetik, rigjenerimin dhe ridedikimin e lokalitetit, përmirësimin e shkathtësive dhe punësimin, si dhe përshtatjen e infrastrukturës së transportit dhe komunikimit me nevojat e kalimit në konsum të ulët të karbonit.

Dekarbonizimi i ekonomisë maqedonase gjithashtu zë vend qendror në qasjen tonë. Falë linjës kreditore prej 100 milionë eurosh që po zbatojmë së bashku me Bankën Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, ne po ndihmojmë bizneset e vogla të kenë qasje në mjete për projekte për efikasitet energjetik dhe aksionit klimatik. Përveç kësaj, së shpejti do të fillojmë një program këshillimor për të mbështetur Bankën Kombëtare dhe bankat tregtare të interesuara në përfshirjen e menaxhimit të rrezikut klimatik në praktikat e tyre – një element i rëndësishëm në përshpejtimin e vendosjes dhe përmirësimin e cilësisë së investimeve në aktivitetet klimatike të vendit.

Në të ardhmen, do të jetë e rëndësishme që vendi të përafrohet me kornizën e BE-së dhe të përshpejtojë tranzicionin e gjelbër duke siguruar një sistem rregullator të klasifikimit që drejton investimet drejt aktiviteteve të qëndrueshme.

Si e komentoni Planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe çfarë mund të presin vendet prej tij?

- Për momentin, të ardhurat mesatare për kokë banori në Ballkanin Perëndimor variojnë midis 27 dhe 50 për qind të të ardhurave mesatare të BE-së. Me këtë plan të ri, Komisioni Evropian synon të përshpejtojë procesin e pranimit dhe konvergjencën ekonomike për të dyfishuar madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor në dekadën e ardhshme.

Ideja është të rritet ndihma financiare, e kushtëzuar nga zbatimi i reformave, përmes një instrumenti të ri financiar – Fondi i reformës dhe rritjes për Ballkanin Perëndimor me vlerë 6 miliardë euro.

Në takimin e fundit të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Shkup, Drejtori i BEI për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lionel Rapaj riafirmoi gatishmërinë e Bankës për të mbështetur planin e ri, i cili ka potencialin për të nxitur konvergjencën ekonomike, së bashku me Agjendën e gjelbër dhe dixhitale dhe Tregun e përbashkët rajonal. Këto aktivitete duhet të rezultojnë në një lidhje më të madhe, një tranzicion më të butë të gjelbër, duke përfituar plotësisht nga agjenda digjitale, duke forcuar sistemet arsimore dhe shëndetësore dhe duke nxitur zhvillimin e sektorit privat.

A jemi të përgatitur në mënyrë institucionale dhe rregullatore për zbatimin e tij, respektivisht përdorimin përkatës?

- Siç bëhet e ditur në Planin, çdo Qeveri duhet të përgatisë një agjendë reformash në lidhje me zbatimin e reformave specifike në lidhje me bazat e procesit të zgjerimit. Pasi të përmbushen qëllimet konkrete, vendi merr mjetet e parashikuara.

Plani gjithashtu parashikon hapjen e zonave të caktuara të Tregut të vetëm të BE-së në rajon, që do të sjellë përfitime të kapshme për qytetarët, siç është lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve dhe qasja në Hapësirën e përbashkët të pagesave të euros. Në ngjarjen në Shkup, përfaqësues të nivelit të lartë nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor shprehën angazhimin e tyre për planin dhe krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, në përputhje me rregullat dhe standardet e BE-së.

Në këtë moment, ende janë duke u diskutuar modalitetet operative të planit dhe prioritetet e reformave konkrete të vendit.

Cilat janë pritshmëritë për rritje ekonomike dhe investime, të cilat janë thelbësore për përmirësimin e gjendjes, duke marrë parasysh se këtë vit si vend kemi zgjedhje të dyfishta?

- Ekonomia e Maqedonisë së Veriut është treguar rezistente ndaj pasigurisë dhe jostabilitetit që i karakterizon tregjet globale. Në vitin 2023, rritja e konsumit privat dhe eksportet dinamike mbështetën aktivitetin ekonomik, duke kompensuar pjesërisht erërat e jashtme kundërshtuese, e veçanërisht ngadalësimin në Gjermani, e cila është partneri kryesor tregtar i Maqedonisë së Veriut.

Në të ardhmen, konsumi i brendshëm pritet të vazhdojë të zgjerohet gjatë vitit 2024 për shkak të uljes graduale të inflacionit, ndërsa puna ndërtimore në korridoret panevropiane VIII dhe X do të rezultojë në investime të reja, duke mbështetur rritjen ekonomike.

Në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe presidenciale, do të jetë thelbësore të vazhdohet në rrugën e konsolidimit gradual fiskal dhe të minimizohet pozicioni politik i qorr-sokakut. Maqedonia e Veriut gjithashtu duhet të ruajë atraktivitetin e saj për investitorët e huaj duke avancuar reformat strukturore në rrugën drejt aderimit në BE për të përmirësuar produktivitetin (duke përfshirë mbylljen e boshllëqeve ekzistuese në infrastrukturën e saj energjetike dhe transportit), ballagaqimin me migrimin e të rinjve dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër të vendit.

Biljana Anastasova-Kostiq

QËNDRONI TË LIDHUR