• e mërkurë, 12 shkurt 2025

Kabineti i kryetarit të Kuvendit: Pranimi i interpelancës për Dautin nuk ka pasoja juridike detyruese për shkarkim

Kabineti i kryetarit të Kuvendit: Pranimi i interpelancës për Dautin nuk ka pasoja juridike detyruese për shkarkim

Shkup, 10 janar 2025 (MIA) - Pasi interpelanca për punën e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti, është pranuar me 61 vota "pro" pasditen e sotme, nga Zyra e Kryetarit të Kuvendit dërguan një kumtesë ku theksohet se votimi në interpelancë nuk ka pasoja juridikisht detyruese për shkarkimin dhe nuk ka efekt juridik. Emërimet dhe shkarkimet, thonë nga Kabineti, rregullohen me procedura të tjera të veçanta të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, ligjet dhe Kushtetutën.

"Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot mbajti seancë plenare për ta trajtuar interpelancën për punën e deputetes Ilire Dauti, kryetare e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Seanca u mbajt në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Rregulloren e Kuvendit dhe ligjet në fuqi. Raportimet e mediave të caktuara që sugjerojnë se rezultati i votimit të interpelancës obligon shkarkimin e zonjës Dauti janë të pasakta. Theksojmë se vota e interpelancës është shprehje e deputetëve dhe nuk ka pasoja juridike detyruese për shkarkim dhe nuk ka efekt juridik. Emërimet dhe shkarkimet rregullohen nëpërmjet procedurave të tjera të veçanta të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, ligjet dhe Kushtetutën", thuhet në kumtesë. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR