• e mërkurë, 12 mars 2025

Ka filluar debati për interpelancat e anëtarëve të Këshillit gjyqësor, e para në rend dite interpelanca për Vesna Damevën

Ka filluar debati për interpelancat e anëtarëve të Këshillit gjyqësor, e para në rend dite interpelanca për Vesna Damevën

Shkup, 11 mars 2025 (MIA) - Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka filluar debati për interpelancat për anëtarët e Këshillit gjyqësor. E para në rend dite është interpelanca e ish kryetares së Këshillit, Vesna Dameva.

Gjorgjija Sajkoski, deputet i VMRO-DPMNE-së, theksoi se interpelancat ndaj pesë anëtarëve të Këshillit gjyqësor paraqesin momentin kyç në luftën për sundim të ligjit dhe besimit në institucione.

“Ky është një moment kyç në luftën për shtetin e së drejtës, për drejtësinë dhe besimin tek institucionet dhe me këto interpelanca të iniciuara, ne të nderuar, nuk gjykojmë drejtësinë. Me këto interpelanca të dorëzuara po detektojmë përgjegjësinë e atyre që është dashur të jenë korrigjues, atyre që është dashur të sjellin drejtësinë dhe që duhet të vendosin atë që duhej të ishte pushteti gjyqësor", tha ai.

Vesna Dameva në fjalimin e saj theksoi se në periudhën e kaluar, siç tha ajo, persona të caktuar të politikës në vazhdimësi kanë tentuar ta nënçmojnë duke thënë të pavërteta dhe trillime.

"Kontestohen profesionalizmi dhe kompetencat e mia dhe për të gjitha këto nuk kam reaguar, para së gjithash për të ruajtur reputacionin e Këshillit gjyqësor. Isha i përgatitur se ju politikanët do të përdorni të gjitha mjetet dhe mënyrat për të na devalvuar, bartësit e pushtetit gjyqësor, që nuk ju përgjigjemi. Nuk kam ardhur të justifikohem dhe të mbrohem, kam ardhur të qëndroj në anën e shtetit ligjor”, theksoi Dameva duke hedhur poshtë pretendimet nga interpelanca.

Deputeti i LSDM-së Oliver Spasovski kritikoi mënyrën se si pushteti po sulmon sistemin gjyqësor përmes interpelancave.

"Ndaj anëtarëve të Këshillit gjyqësor, përgjegjësi mund ta caktojë vetëm Këshilli gjyqësor, prandaj interpelancat e dorëzuara si mekanizëm për kontroll politik të Kuvendit ndaj subjekteve që i përmenda më herët është precedent dhe akt i palejuar në një shtet demokratik", tha Spasovski.

Ai paralajmëroi se grupi parlamentar i LSDM-së nuk do të marrë pjesë në debatin e mëtutjeshëm në seancën parlamentare.

Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët theksoi se “sot ushtrohet presion për dorëheqje, sepse dikush mezi pret të marrë gjërat në duart e veta”.

Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE kritikoi braktisjen e seancës nga LSDM, duke theksuar se argumentet nuk janë në anën e tyre.

Talat Xhaferi, nga BDI, theksoi se rendi i sotëm i ditës është dëm i dyfishtë, fillimisht për Këshillin gjyqësor, pastaj për demokracinë parlamentare.

"Mënyra e interpelancës, rendi i shpjegimit të interpelancës tregon se këta pesë persona janë identifikuar si subjekte politike gjatë mandatit në të cilin janë zgjedhur", tha Xhaferi.

Përveç interpelancës për punën e Vesna Damevës, Kuvendi duhet të diskutojë edhe për interpelancat e katër anëtarëve të tjerë të Këshillit gjyqësor, pra Pavlina Cërvenkovska, Selim Ademi, Tanja Çaçarova-Ilievska dhe Milazim Mustafa.

Foto: printskrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR