• e hënë, 23 dhjetor 2024

Këshilltari amerikan për siguri: Është e mundur që Bajdeni dhe Si të takohen këtë vit

Këshilltari amerikan për siguri: Është e mundur që Bajdeni dhe Si të takohen këtë vit

Pekin, 29 gusht 2024 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden, mund të takohet sërish me kolegun e tij kinez, Si Xhinping, në një takim ndërkombëtar në nëntor, deklaroi sot Xhejk Salivan, këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Salivan i cili ka folur pas tre ditësh takimesh me zyrtarë të lartë kinezë në Pekin, tha se Bajdeni dhe Si kishin të ngjarë të merrnin pjesë në samitin e Bashkëpunimit ekonomik aziatiko-paqësor (BEAP) në Peru dhe takimin e Grupit 20 (G20) në Brazil - të dyja në nëntor.

"Besueshmëria është që ata të jenë aty dhe nëse janë aty, do të ishte e natyrshme që të kenë mundësi të ulen me njëri-tjetrin", tha Salivan por theksoi se nuk po paralajmëron apo konfirmon takimin.

Bajden për herë të fundit u takua me Si nëntorin e kaluar në margjinat e samitit të BEAP në San Francisko.

Salivan deklaroi se gjatë vizitës treditore në Kinë ai bisedoi me politikanë dhe zyrtarë ushtarakë kinezë për gjithsej 14 orë dhe u prit nga Si në fund të qëndrimit. Para kësaj, ai zhvilloi bisedime me Ministrin e Jashtëm Vang Ji dhe një nga udhëheqësit më të lartë ushtarakë të Kinës, Zhang Joushija.

Salivan e përshkroi bisedën me Zhang si "shumë të dobishme" dhe tha se u dha të dyja palëve "një mundësi për të shpjeguar se çfarë po bëjnë".

Në takim u trajtuan çështje të tilla si situata në Detin e Kinës Jugore dhe ngushticën midis Kinës dhe Tajvanit. Por, Salivan potencoi se nuk ishte arritur asnjë marrëveshje për tema të tilla si tarifat tregtare dhe nuk ishte bërë përparim drejt zgjidhjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës. rq/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR