Këshilltarët nga lista e pavarur do ta mbështesin Afrim Kërkutin nga VLEN për kryetar të Këshillit të komunës së Dibrës
- Dilemën se kush kë do të mbështesë për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të komunës së Dibrës, për shkak të balancit të pushtetit, sot e zgjidhi kandidati i pavarur për kryetar komune, Ramadan Imeri i cili në zgjedhjet lokale ka pasur edhe listë të këshilltarëve.
- Post By Fami Bajrami
- 13:02, 11 nëntor, 2025
Dibër, 11 nëntor 2025 (MIA) - Dilemën se kush kë do të mbështesë për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të komunës së Dibrës, për shkak të balancit të pushtetit, sot e zgjidhi kandidati i pavarur për kryetar komune, Ramadan Imeri i cili në zgjedhjet lokale ka pasur edhe listë të këshilltarëve.
Sipas tij, për funksionin e kryetarit të Këshillit, tre këshilltarët e pavarur "shprehin mbështetjen e tyre të plotë për Afrim Kërkutin i cili ishte bartës i listës së këshilltarëve nga VLEN".
"Qëndrimi ynë gjithmonë ka qenë i qartë dhe mbetet i tillë: çdo hap që është në interes të Dibrës dhe dibranëve do të ketë mbështetjen tonë të pakushtëzuar. Ne besojmë se qyteti ynë meriton vendime të mençura, bashkëpunim të sinqertë dhe punë të përkushtuar për të ardhmen e qytetit", ka thënë Imeri për MIA-n.
Prandaj, shtoi ai, në çdo proces dhe sfidë që do të vijë, "ne do të jemi të pranishëm dhe do të kontribuojmë me përgjegjësi, transparencë dhe vullnet të fortë".
"Dibra është mbi gjitha interesat dhe ne mbetemi të përkushtuar për të siguruar që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe respektohet gjatë marrjes së çdo vendimi", theksoi Imeri.
Në këshillin prej 15 anëtarësh, përveç tre anëtarëve nga lista e pavarur, VLEN dhe VMRO DPMNE do të kenë bashkëpunim zgjedhor, 5 dhe 2 këshilltarë, 4 ka AKI dhe një këshilltar LSDM.
Foto: MIA