• e hënë, 23 dhjetor 2024

Këshilli i Evropës: Maqedonasit në Bullgari nuk mund t’i gëzojnë të drejtat individuale të pakicave

Këshilli i Evropës: Maqedonasit në Bullgari nuk mund t’i gëzojnë të drejtat individuale të pakicave

Strasburg, 10 tetor 2024 (MIA) - Përkundër disa zhvillimeve pozitive në Bullgari në katër vitet e fundit lidhur me legjislacionin, qasjen në kujdesin shëndetësor dhe arsimin, mund të vërehet progres i pamjaftueshëm në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të Këshillit të Evropës për qasje efektive në realizimin e të drejtave të pakicave në vend, vlerëson Komiteti këshillëdhënës i Këshillit të Evropës në Konventën kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare në vlerësimin e saj të gjashtë për situatën në Bullgari të publikuar sot.

Komiteti jep rekomandime drejt autoriteteve bullgare për promovimin e kulturave dhe gjuhëve të pakicave kombëtare, nxitjen e besimit dhe respektit të ndërsjellë, si dhe përmirësimin e situatës me minoritetin rom.

“Si edhe në ciklet e mëparshme, personat që identifikohen si maqedonas, përsëritën dëshirën e tyre të kamotshme për t'u mbrojtur sipas Konventës kornizë, por meqenëse autoritetet nuk e pranojnë ekzistimin e kritereve objektive për ta, këta persona nuk mund të gëzojnë qasje në të drejtat individuale të pakicave. Përpjekjet e tyre afatgjata për të regjistruar Shoqata që promovojnë komunitetin maqedonas, nuk patën sukses”, thuhet mes tjerash në dokument.

Komiteti këshillëdhënës thekson se është e nevojshme të ndiqet një qasje pragmatike ndaj personave që vetë- identifikohen si maqedonas, bazuar në parimin e vetë-identifikimit të lirë.

“Personat që vetë- identifikohen si maqedonas, të cilët vazhdojnë të kërkojnë mbrojtje sipas Konventës kornizë kanë njoftuar Komitetin këshillëdhënës se konsiderojnë se disa aktivitete të autoriteteve në mënyrë aktive i dekurajojnë ata që të vetë-identifikohen si maqedonas etnikë. Deri në Komitetin këshillëdhënës janë paraqitur raste të sulmeve gjatë aktiviteteve publike, si dhe pengesa për organizimin e protestave dhe tubimeve të ndryshme”, porosit Komiteti.

Foto: skrinshot

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR