Jurova: Të paktën 16 mijë fëmijë ukrainas u zhvendosën me forcë në Rusi
- Të paktën 16.000 fëmijë ukrainas janë prekur nga zhvendosja e detyruar në Rusi, deklaroi sot nënkryetarja e Komisionit Evropian, Vera Jurova në Parlamentin Evropian në Strasburg, duke iu referuar të dhënave nga fundi i javës së kaluar.
Strasburg, 19 prill 2023 (MIA) - Të paktën 16.000 fëmijë ukrainas janë prekur nga zhvendosja e detyruar në Rusi, deklaroi sot nënkryetarja e Komisionit Evropian, Vera Jurova në Parlamentin Evropian në Strasburg, duke iu referuar të dhënave nga fundi i javës së kaluar.
"Deri më tani vetëm 361 fëmijë nga Ukraina janë kthyer në vendlindje, shtoi ajo, duke iu referuar informacioneve nga organizata të ndryshme ndërkombëtare. Sipas saj, birësimi i këtyre fëmijëve është vepër penale.
Jurova vuri në dukje se Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) së fundi lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin për shkak të rrëmbimit të fëmijëve ukrainas. Rusia ka demonstruar qartë mosrespektimin e saj për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla me reagimin e saj ndaj urdhrave të lëshuara nga GJNP, tha nënkryetarja e Komisionit Evropian. Jurova theksoi se të gjitha vendet e BE-së dhe të tjerat që kanë miratuar Statutin e Romës janë të detyruara të respektojnë urdhrat e paraburgimit të GJNP-së.
Nënkryetarja e KE-së theksoi se Komisioni ka siguruar 10 milionë euro për punën e GJNP-së që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Jurova shtoi se BE-ja deri më tani ka vendosur sanksione kundër 16 autorëve të rrëmbimit të fëmijëve ukrainas.
Të paktën disa qindra, nëse jo edhe mijëra fëmijë ukrainas janë viktima të krimeve të luftës, shtoi Xhesika Rozeval në emër të Presidencës suedeze të Këshillit të BE-së. Këshilli është i vendosur të kërkojë përgjegjësi për krimet e luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë. ls/