Jun Suk-jeol: Parlamenti u shndërrua në përbindësh, do të luftoj deri në fund
- Presidenti i Koresë së Jugut Jun Suk-jeol i cili po përballet me shkarkimin pasi u përpoq të vendoste gjendje të jashtëzakonshme një javë më parë tha se "do të luftonte deri në minutën e fundit", duke akuzuar opozitën për nxitjen e krizës kombëtare.
- Post By Fami Bajrami
- 09:00, 12 dhjetor, 2024
Seul, 12 dhjetor 2024 (MIA) - Presidenti i Koresë së Jugut Jun Suk-jeol i cili po përballet me shkarkimin pasi u përpoq të vendoste gjendje të jashtëzakonshme një javë më parë tha se "do të luftonte deri në minutën e fundit", duke akuzuar opozitën për nxitjen e krizës kombëtare.
"Parlamenti mbetet një përbindësh që po shkatërron rendin kushtetues të demokracisë liberale", tha Jun në një fjalim televiziv. "Do të luftoj me popullin deri në momentin e fundit", shtoi ai duke konfirmuar se "nuk do t’i ikë përgjegjësisë ligjore dhe politike për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme".
Jun Suk Jeol befasoi vendin duke vendosur papritur një gjendje të jashtëzakonshme natën midis 3 dhe 4 dhjetorit, përpara se të detyrohej ta hiqte atë gjashtë orë më vonë nën presionin e parlamentit dhe trazirat në rrugët e Seulit.
Pas vendimit të presidentit, njerëzit kanë nisur të tubohen para parlamentit, ku dhe ka ardhur deri te përplasja. Armata hyri edhe në ndërtesën e parlamentit. Deputetët thyen kordonin e policisë, disa duke kërcyer nga gardhi për të hyrë në parlament dhe për të kërkuar nga Jun të shfuqizojë gjendjen ushtarake disa orë pasi u shpall e njëjta.
Situata u qetësua pas bllokimit të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Jun tani është nën ndjekje penale për rebelim të dyshuar për shpalljen e dështuar të gjendjes ushtarake që shkaktoi krizën më të madhe politike të Koresë së Jugut në dekadat e kaluara.
Ai i iku kërkesës për shkarkim nga ana e Asamblesë kombëtare të shtunën, ndërsa u shpëtua nga partia e tij. Por ai tani përballet me një votim të dytë të shkarkimit në Parlament që pritet të shtunën.
Komentet e tij sot, erdhën pasi lideri i partisë së Jun tha se presidenti nuk kishte treguar asnjë shenjë dorëheqje dhe se duhet të shkarkohet. rq/
Foto: arkivi i MIA-s