• e hënë, 23 dhjetor 2024

Jepen certifikata për dhjetë qytetarë pa dokumente, deri në fund të vitit të gjithë 540 personat do të regjistrohen në librat amë

Jepen certifikata për dhjetë qytetarë pa dokumente, deri në fund të vitit të gjithë 540 personat do të regjistrohen në librat amë

Shkup, 8 gusht 2023 (MIA) - Në Drejtorinë e librave amë, ndaj 112 personave pa dokumente sot po realizohet plotësimi i dokumentacionit për marrjen e certifikatës së lindjes, ndërsa dhjetë prej tyre janë pajisur me certifikatë. Deri në fund të vitit, të gjithë 540 personat do të regjistrohen në librat amë, tha drejtori i Drejtorisë për evidencën e librave amë, Emir Sulejmani.

Ai shtoi se kjo procedurë duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2023, në mënyrë që të gjithë personat pa dokumente – 540 qytetarë të regjistrohen në librin amë.

"Duke iu referuar problemit dhjetëvjeçar me të cilin kanë një grup i caktuar qytetarësh, të cilët kanë nevoja elementare nga shërbimet sociale, shëndetësore e të tjera, ne si Drejtori para disa kohësh formuam një grup pune. Detyra e grupit të punës ka qenë që në mënyrë më të thjeshtë dhe më efikase t'ju dalim në ndihmë grupit të targetuar, njerëzit që nuk janë të regjistruar dhe nuk kanë certifikatë në evidencën amë. Grupi i punës përbëhet nga disa anëtarë, ekspertë, të punësuar në Drejtori, një numër më i vogël këtu nga redaksia dhe një numër më i madh nga njësitë rajonale. Me kalimin e kohës është hapur mundësia për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për evidencën amë", tha sot Sulejmani.

Siç theksoi ai, me ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë, organizatave joqeveritare UNHCR-së dhe OSBE-së dhe Qendrës për punë sociale, janë përgatitur ndryshimet dhe plotësimet në Propozim- ligjin, ndërsa Kuvendi ka votuar për propozim ndryshimet.

"Ligji parashikon dispozita kalimtare dhe përfundimtare që përcaktojnë afate të sakta se si duhet të vazhdojë e gjithë procedura dhe dinamika. Deri në fund të vitit 2023 këtë procedurë duhet ta përfundojmë dhe të gjithë personat që janë në evidencën tonë të regjistrohen në librin e rregullt të lindjes. Sot po zbatojmë plan veprimi me ndihmën e organizatave joqeveritare, rreth 112 persona janë duke e kompletuar dokumentacionin", ka thënë Sulejmani.

Ai shtoi se një numër i caktuar i qytetarëve tashmë do të marrin certifikatat, ndërsa në periudhën e ardhshme do ta marrin edhe qytetarët që kanë kërkesa taksative në kuadër të ndryshimeve ligjore. Është pozitive, siç tha ai, që në propozim ndryshimet e ligjit janë hequr ADN-ja dhe rrethanat e komplikuara për marrjen e dokumenteve.

"Nëse pala nuk posedon vërtetim apo raport nga spitali, kërkohen tre deklarata të hartuara me rregullore, të cilat prej dje janë botuar në Gazetën zyrtare dhe çdo qytetar me deklarata të të dy dëshmitarëve do të mund ta vërtetojë identitetin dhe do të regjistrohet në librin amë”, tha Sulejmani.

 Ai ka bërë apel deri te të gjithë ata që janë regjistruar paraprakisht në thirrjen publike, të vijnë në zyrat e Drejtorisë.

"Mendoj se deri në fund të vitit, kur të përfundojmë të gjitha çështjet, do të jemi vendi i parë në Evropë që nuk do të ketë persona të paregjistruar", shtoi ai.

Avokatja Maja Ristovska Stojanovska e autorizuar për Selvet Etemovskën, tha se falë këtyre ndryshimeve ligjore, Etemovska sot për herë të parë do të marrë certifikatën e lindjes dhe do të mund të vazhdojë procedurën në MPB ku do të mund të marrë dokumente identifikimi.

Etemovska për MIA-n ka thënë se është mirënjohëse për mundësinë që të marrë certifikatën që do të ndihmojë në sigurimin shëndetësor, por edhe të mund të punojë.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR