• e mërkurë, 20 nëntor 2024

Janevska: Nga profesorët universitarë pritet angazhim më i lartë akademik për pozitë më të mirë në Listën e Shangait

Janevska: Nga profesorët universitarë pritet angazhim më i lartë akademik për pozitë më të mirë në Listën e Shangait

Shkup, 27 korrik 2024 (MIA)- Me ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe me angazhimin më të madh të profesorëve universitarë mund të përmirësohet cilësia e arsimit të lartë dhe më pas edhe rangimi akademik i universiteteve të Maqedonisë, theksoi  ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në intervistën për agjencinë e lajmeve “Meta”.mk".

Ministrja theksoi se me ndryshimet në ligj do të sigurohen kushte të caktuara për ekzistencën dhe funksionimin e universiteteve, por do të saktësohen edhe detyrimet e kuadrit shkencor dhe arsimor në arsimin e lartë.

“Unë jam profesor dhe nuk do të doja që dikush të më keqkuptonte. Po, profesorët universitarë  duhet të kenë paga të larta. Por nuk mund të vazhdojmë të jemi indiferentë ndaj asaj që kërkon rang lista e Shangait. Aty ka shumë elemente, ndërsa njëri  prej të cilëve është puna shkencore e profesorëve. Kemi edhe institucione të veçanta shkencore, por të gjitha institucionet e arsimit të lartë janë angazhuar që të merren edhe me shkencë. Ndërsa nëse jeni zotuar që t'i përmbushni disa kushte të caktuara që shteti të përparojë, atëherë duhet edhe  t'i realizoni”, theksoi ministrja Janevska. 

Ajo që ne si shtet dhe si ministri presim nga profesorët universitarë është që të angazhohen më shumë në të gjitha fushat e tyre: në arsim, në shkencë, në kërkim, tha ajo, duke shtuar se duhet përfshirje më e madhe në rrjetet e BE-së, duke i kushtuar vëmendje  projekteve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe lidhje më të madhe të  sferës akademike me ekonominë dhe sektorin e biznesit. Ministrja theksoi rëndësinë e përshtatjes së programeve studimore  me tregun e punës, në mënyrë që të rinjtë pas përfundimit të studimeve të punësohen  në vendin e tyre.

“Shteti duhet të ketë mbikëqyrjen në atë se çfarë po ndodh në mënyrë që të mund të bëjë planifikim afatgjatë dhe strategjik. Nuk duhet të lejohet praktika e deritanishme të jemi eksportues i pasurisë sonë më të madhe, por pa para.  Prandaj, me të dhënat e Agjencisë së Punësimit, Entit të Statistikës dhe organeve të tjera shtetërore, me analizën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me odat e ekonomisë dhe sektorin e biznesit, do të bëjmë analizë serioze se cili kuadër  është me numër më të madh  ndërsa cili kuadër  na mungon, pas së cilës do të mund t'i drejtojmë të rinjtë në profesionet  deficitare  që të kenë njëfarë garancie se pasi të mbarojnë do të mund të punësohen në vend”, tha ministrja Vesna Janevska.

Foto: MASH

QËNDRONI TË LIDHUR