• e enjte, 10 tetor 2024

Janevska: MASH e përfundoi punën e saj, shkollat me qendra burimore e shpallin konkursin për angazhimin e asistentëve

Janevska: MASH e përfundoi punën e saj, shkollat me qendra burimore e shpallin konkursin për angazhimin e asistentëve

Shkup, 5 shtator 2024 (MIA) - Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë dhe do të kenë asistentë. Tashmë janë siguruar 815 asistentë, ndërsa për 200 asistentë pritëm ribalancin e buxhetit për t'i siguruar mjetet. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) e përfundoi punën e saj, ndërsa shkollat me qendra burimore e shpallin konkursin për angazhimin e tyre, porositi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska.

"Ata duhej të kishin planifikuar se kur ta shpallin konkursin, kur t'i publikojnë konkurset në gazeta, sepse dëgjoj që thonë se MASH duhej t'u tregojë se kur t'i shpallin konkurset. Pse vendosim drejtorë në shkolla nëse nuk i dinë obligimet e tyre bazë", tha Janevska në përgjigje të pyetjes gjatë vizitës së sotme në kompaninë e Shkupit "KAZ grup", ku zbatohet puna praktike për arsimin dual.

Sot, siç tha, nënshkruhen marrëveshjet me 815 asistentë, ndërsa konkursi për 200 asistentë është në vijim.

"Apeloj te prindërit, te udhëheqësitë e shkollave dhe mësimdhënësit se asnjë fëmijë nuk duhet të qëndrojë në shtëpi. Të gjithë duhet të pranohen në shkolla. Ka mësimdhënës, ka ekipe gjithëpërfshirëse, ka psikologë, pedagogë, defektologë, diku ka edhe sociologë - ata duhet të përgatiten për t'i pranuar fëmijët. Asistentë do të ketë edhe këtë herë dhe do të jenë në numër edhe më të madh. Vitin e ardhshëm do të ketë numër ende më të madh nëse ka nevojë", theksoi Janevska.

Gjendjen me tekstet shkollore e vlerësoi si të shkëlqyer.

"Drejtorët, mësimdhënësit dhe kujdestarët e klasave obligohen të kërkojnë aq tekste sa kanë nevojë. MASH dhe Byroja për Zhvillim të Arsimit njoftuan se për cilat lëndë duhen, ndërsa për cilat nuk duhen tekste. Për lëndët zgjedhore, pjesët e konceptit të ri të cilat ne si Qeveri i pranojmë, nuk duhet të kenë tekste, por nxënësit përmes punës interaktive mes tyre dhe me mësimdhënësin do t'i fitojnë dituritë. Nëse drejtorët nuk kanë porositur tekste të mjaftueshme do t'u thuhet se kanë gabuar", tha Janevska.

Ajo saktëson se MASH hap sistem informativ ku thotë regjistroni se sa tekste ju duhen, ndërsa drejtorët obligohen për çdo shkollë të tregojnë se sa tekste u nevojiten me numrin e saktë.

"Ne nuk ua kemi ndaluar të llogarisin 2 deri në 3 për qind më shumë, përkundrazi kemi vendosur që t'u japim dyfishin e numrit që kanë kërkuar dhe ky është rregull dhe unë si ministre dhe askush nga MASH nuk mund të  heq dorë nga ai rregull. Nëse drejtorët nuk e kanë kryer punën e tyre, nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, por do të bëjmë përpjekje nëse ka tepricë të librave diku që të sigurojmë një tekst shkollor aty ku nuk ka", theksoi Janevska.

Ajo theksoi se është bërë gjithçka që mund të bëhet në 70 ditët e kaluara të mandatit të Qeverisë së re, por jo gjithçka mund të zgjidhet që është lënë si problem nga qeveria e kaluar.

"Me buxhetin për vitin e ardhshëm është paraparë gjithçka dhe të gjitha lehtësimet për nxënësit dhe prindërit sepse arsimi, studentët dhe prindërit janë fokusi ynë", theksoi Janevska. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR