Janevska: Inspektim do të ketë në të gjitha shkollat për të cilat kemi dëshmi për ngjarje të tilla të pakëndshme
- Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska deklaroi se dërgimi i inspektoratit në shkollën "7 Marsi" në Çellopek të Tetovës është procedurë ligjore dhe pret që inspektorët të punojnë sipas ligjit. Kumtoi se përveç kësaj shkolle, ku nxënësit ishin veshur me uniforma ushtarake me emblemë të UÇK-së dhe me armë në duar, MASH ka dëshmi dhe fotografi me raporte për ngjarje të tilla në dy shkolla në Tetovë dhe në shkollat në Çair dhe Strugë dhe se do të ketë inspektim edhe për ato raste.
- Post By Fami Bajrami
- 15:41, 2 dhjetor, 2024
Shkup, 2 dhjetor 2024 (MIA) - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska deklaroi se dërgimi i inspektoratit në shkollën "7 Marsi" në Çellopek të Tetovës është procedurë ligjore dhe pret që inspektorët të punojnë sipas ligjit. Kumtoi se përveç kësaj shkolle, ku nxënësit ishin veshur me uniforma ushtarake me emblemë të UÇK-së dhe me armë në duar, MASH ka dëshmi dhe fotografi me raporte për ngjarje të tilla në dy shkolla në Tetovë dhe në shkollat në Çair dhe Strugë dhe se do të ketë inspektim edhe për ato raste.
"Në shkollën në Çellopek ka shkuar inspektorati i arsimit. Përveç kësaj kemi pasur denoncime për një shkollë në Çair, dy shkolla në Tetovë dhe një shkollë në Strugë. Në të gjitha ato shkolla për të cilat kemi dëshmi me fotografi dhe raporte se ka ndodhur një ngjarje e tillë e pakëndshme, Inspektorati arsimor është në terren dhe presim që kur të kthehen të japin informacionin fillestar. Për të përgatitur procesverbal do duhet një kohë më e gjatë", deklaroi Janevska për mediat gjatë vizitës së sotme në Shtip.
Potencoi se politika më së paku duhet të jetë e pranishme në shkolla "në këtë shtet të përbashkët që u përket të gjithë qytetarëve të saj". Siç theksoi, "ne duhet ta ndërtojmë së bashku, të gjithë duhet të ndjejmë përgjegjësi dhe dashuri për të dhe të kemi ide për prosperitetin e saj".
"Si Qeveri dhe unë si ministre do të veproj sipas ligjit, prandaj është dërguar inspektorati. Inspektorët kanë një përgjegjësi të fortë për të punuar brenda ligjit. Siç që është përmes ligjit, kështu do të veprojmë. Nëse ata nuk zbatojnë ligjin, do t'u kërkojmë llogari, por nuk kam asnjë dyshim për këtë. Megjithatë ne presim që ata të vijnë", deklaroi Janevska.
Ajo i është përgjigjur reagimit të sotëm të Bashkimit Demokratik për Integrim se po zhvillohet "politikë antishqiptare" dhe "standarde të dyfishta" në arsim pasi dy vite më parë në lagjen Aerodrom fëmijët ishin veshur në një aktivitet si komitë dhe "kanë realizuar përshëndetje ushtarake".
"Unë e kuptoj politikën e BDI-së dhe se po përpiqen me dëshpërim të ngrenë pozitën e tyre në shoqëri, por mënyra është krejtësisht e gabuar. Si parti politike kanë të drejtë të ndërmarrin aktivitete, por jo përmes fëmijëve dhe shkollave dhe jo duke poshtëruar simbolet shtetërore dhe duke futur militarizëm në shkolla", potencoi ministrja. rq/
Foto: printskrin