Janevska: Arsimi dhe shkenca po marrin vëmendjen e nevojshme dhe bëhen resurse kyçe zhvillimore për vendin
- Sigurimi i teksteve shkollore më 1 shtator, rritja e pagave të mësimdhënësve dhe profesorëve, ndërsa ndërtohen shtatë objekte të reja shkollore, janë rikonstruktuar 20 objekte, po ndërtohen edhe katër salla të reja sportive dhe rinovohen tërësisht dy konvikte studentore në Shkup. Këto janë disa nga rezultatet e arritura në vitin e parë të mandatit të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska të cilat ajo i elaboroi në konferencën e sotme për shtyp në ministri.
- Post By Fami Bajrami
- 14:32, 29 qershor, 2025
Shkup, 29 qershor 2025 (MIA) - Sigurimi i teksteve shkollore më 1 shtator, rritja e pagave të mësimdhënësve dhe profesorëve, ndërsa ndërtohen shtatë objekte të reja shkollore, janë rikonstruktuar 20 objekte, po ndërtohen edhe katër salla të reja sportive dhe rinovohen tërësisht dy konvikte studentore në Shkup. Këto janë disa nga rezultatet e arritura në vitin e parë të mandatit të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska të cilat ajo i elaboroi në konferencën e sotme për shtyp në ministri.
Janevska e shoqëruar nga zëvendësministri, sekretari shtetëror dhe drejtorët e Shërbimit pedagogjik, Byrosë për zhvillimin e arsimit dhe Qendrës shtetërore për provime, theksoi se së bashku kanë hedhur themelet për ndërtimin e një sistemi arsimor kombëtar cilësor dhe konkurrues i cili do të mundësojë barazi, efikasitet, njohuri dhe aftësi më të mira dhe kënaqësi të përgjithshme midis të gjithë palëve të interesuara në procesin arsimor. Ajo tha mes tjerash se arsimi dhe shkenca po marrin vëmendjen e nevojshme dhe bëhen resurse kyçe zhvillimore për vendin.
"Mungesa e teksteve shkollore ka qenë sfida e parë me të cilën u përballëm, por e kapërcyem edhe krahas afatit të shkurtër. Shtypëm dhe shpërndamë ato që ishin miratuar tashmë, si dhe prodhuam disa tekste shkollore dhe materiale mësimore të reja për shkollën fillore, deri atëherë nuk kishte pasur fare mjete mësimore. Gjithashtu shtypëm mbi 100 tituj të rinj në arsimin e mesëm profesional. Nxënësit kishin dhe do të kenë diçka për të mësuar edhe në vitin e ri shkollor", ka thënë Janevska, duke informuar se janë duke u zhvilluar procedurat për furnizimin dhe shtypjen e teksteve shkollore që do të përdoren nga shtatori, përfshirë edhe ato në gjuhë të huaja që mungojnë për gjashtë vjet.
Ministrja falënderoi mësimdhënësit që morën pjesë aktive në krijimin dhe zbatimin e ndryshimeve deri më tani, duke theksuar se kujdesi i shtetit për ta do të rritet në të ardhmen.
"Kemi marrë vendim për rritje graduale dhe reale të pagave të mësimdhënësve gjatë periudhës katërvjeçare. Dhe ata tashmë kanë marrë mbi 12 për qind. Profesorët e universitetit, nga ana tjetër, nga janari i këtij viti morën një rritje prej 14 për qind", tha Janevska.
Lidhur me investimet në infrastrukturë, Janevska informoi se me 2 miliardë denarë po ndërtohen shtatë objekte të reja shkollore, po rikonstruktohen 20 objekte, ndërtohen edhe katër salla të reja sportive, ndërsa tërësisht po rinovohen dy konvikte studentore në Shkup. Ajo thekson se mbi 50 shkolla do të marrin fotovoltaikë, ndërsa deri në fund të vitit do të vazhdojë ndërtimi i FSHKIK dhe FKF-së, por do të fillojë edhe ndërtimi i kampuseve për Universitetin "Nënë Tereza" në Shkup dhe Fakultetin e Mjekësisë në Shtip.

"Dy procese për të cilat unë personalisht jam angazhuar që nga fillimi i mandatit tim është optimizimi i rrjetit shkollor dhe futja e punës në një turn. Që të dyja zhvillohen paralelisht dhe do të mundësojnë mësimdhënie me cilësi më të lartë, qëndrime më të gjata të fëmijëve në shkollë dhe socializim më të madh të nxënësve nga zonat rurale, kursim të fondeve në planin afatgjatë dhe riinvestim efektiv të tyre, si dhe zgjidhjen e sfidave me tepricë të mësimdhënësve", tha ministrja, duke shtuar se 153 shkolla këtë vit kanë pasur mësimdhënie me një turn, ndërsa së shpejti do të krijohen kushte edhe në gjashtë të tjera.
Shprehu kënaqësi për bashkëpunimin me studentët, me të cilët, siç tha ajo, "po punojmë së bashku për të avancuar standardin e të rinjve dhe në atë drejtim, deri tani janë pranuar rreth 10 kërkesa të tyre për zgjerimin e të drejtave dhe mundësive të studentëve".
Foto: MIA