• e premte, 22 nëntor 2024

Janevska: Çdo universitet që ka punuar kundër ligjit do të mbyllet

Janevska: Çdo universitet që ka punuar kundër ligjit do të mbyllet

Shkup, 8 korrik 2024 (MIA) -  Shumë shpejt do të bëjmë  auditim të funksionimit ligjor të shumë universiteteve dhe siç e kam theksuar gjithmonë, ata që punojnë kundër ligjit nuk do të mund të vazhdojnë të ekzistojnë, ndërsa ato që punojnë ligjërisht dhe prodhojnë kuadër  cilësor të mos kenë  frikë edhe më tej do të punojnë, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska.

Janevska theksoi se programet e studimit duhet të modernizohen.

"Mirëpo problem i ndjeshëm në vend është se shumë fakultete, shumë universitete dhe shumë programe studimore funksionojnë me shumë pak studentë", shtoi Janevska, në një intervistë për RTVM-në.

Duke folur për problemin me ndërtimin e objektit të Fakultetit të Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike, Janevska theksoi se qeveria e kaluar edhe pse e ka ndërtuar objektin nuk ka investuar asgjë për finalizimin e saj dhe as nuk ka investuar për të mbrojtur objektin nga shkatërrimi.

"Në takimin me dekanin e FSHIIK kemi menduar për disa zgjidhje të mundshme dhe mund të them se procedurat janë në rrjedhë. Janë duke u zhvilluar diskutimet dhe debatet me institucione të tjera, ku do të mund të vendosen  përkohësisht studentët e FSHIIK. Profesioni është shumë i kërkuar", theksoi Janevska.

Ajo theksoi se duhet të mendohet dhe në atë se inteligjenca artificiale dalëngadalë do ta zë hapësirën e saj, si në FSHIIK, poashtu edhe në fakultete të tjera, ku së shpejti do të bëhen analizat e tregut të punës, me ç'rast do të pasojë edhe reduktimi i  kuotave të fakulteteve të caktuara. 

Janevska në intervistë tha se nxënësit e shkollave të mesme profesionale do t'i nënshtrohen provimit të posaçëm të maturës, ndërsa për nxënësit e gjimnazit do të mbetet provimi shtetëror i maturës, i cili do të jetë i detyrueshëm edhe për ata që duan të kalojnë nga arsimi profesional në arsimin e lartë joadekuat.

Koncepti i arsimit fillor do të rishikohet në një diskutim të gjerë publik, sepse, siç theksoi Janevska, me të ka pakënaqësi të madhe, si te prindërit dhe mësimdhënësit, ashtu edhe te komuniteti profesional.

"Qeveria, me kërkesë të Ministrisë, mori vendim për shtyrjen e zbatimit të Konceptit për klasat e 7-ta, të 8-ta dhe të 9-ta. Shumë shpejt do të ketë një debat publik, të shohim se ku dhe çfarë duhet të ndryshojmë. Do të përfshihen institucione të shumta dhe ekspertë të shumtë, natyrisht edhe mësimdhënës dhe prindër. Lëndët që janë kombinuar me Konceptin do të ndahen, do të shtohen të reja, por gjithçka nga Koncepti që mësimdhënësit dhe ekspertët thanë se është mirë ose do të jetë  mirë, do të mbetet në planprograme dhe plane", tha Janevska.

Ajo shtoi se koncepti i rishikuar dhe i përmirësuar do të sigurojë vazhdimësi, pa boshllëqe në edukimin e fëmijëve. sa/

Foto: Ministria e Arsimit dhe Shkencës

QËNDRONI TË LIDHUR