• e premte, 13 shtator 2024

Janë dorëzuar gjithsej 357 aplikime nga 80 komuna në thirrjen publike për marrjen e mjeteve për projekte infrastrukturore

Janë dorëzuar gjithsej 357 aplikime nga 80 komuna në thirrjen publike për marrjen e mjeteve për projekte infrastrukturore

Shkup, 13 shator 2024 (MIA) - Gjithsej 80 komuna kanë aplikuar në thirrjen publike të Qeverisë për marrjen e mjeteve për realizimin e projekteve infrastrukturore në komunat mbarë vendin me para nga buxheti shtetëror. Janë dorëzuar gjithsej 357 aplikacione, që do të thotë se secila komunë ka aplikuar me më shumë projekte, informoi sot ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski.

"Pritjet tona u përmbushën plotësisht. Në këtë fazë të parë do t'i mbështesim komunat me afro 100 milionë euro, ndërsa nga viti i ardhshëm do të jenë në dispozicion edhe 250 milionë euro të tjera për kohën kur planifikohet një thirrje e re. Tani e kanë radhën ministritë resore. Në afat prej 10 ditëve, dokumentacioni i plotë i projektit duhet të dorëzohet nga ana e komunës pranë ministrisë përkatëse në sferën e projektit, e cila do kryejë vlerësimin e projektit. Vlerësimi pritet të përfundojë për jo më shumë se 10 ditë, pas çka ministritë resore duhet të përgatisin një propozim vendim, për të cilin projektet do të financohen nga sfera e tyre dhe ta dorëzojnë për miratim në seancën e Qeverisë", tha Perinski në një konferencë për shtyp në Qeveri.

Theksoi se pret që deri në fund të këtij muaji të përfundojë e gjithë procedura dhe të dihet se cilat projekte do të financohen me paratë e shtetit.

Saktësoi se gjatë thirrjes publike janë marrë formularë aplikuese dhe ka projekte në sferën e përmirësimit dhe rikonstruksionit të rrjeteve të ujësjellësit, kanalizimeve, infrastrukturës rrugore, furnizimin e mjeteve të transportit,..

"Ne jemi të kënaqur me atë që komunat kanë treguar si kapacitet të kësaj thirrjeje publike që është një tregues shtesë se kjo masë e qeverisë është plotësisht e justifikuar dhe se është e nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të pushtetit lokal", tha Perinski në përgjigjen e gazetarit dhe shtoi se vlera totale e të gjitha projekteve të pranuara në thirrjen publike me siguri tejkalon dukshëm vlerën prej 100 milionë euro.

Theksoi se thirrja publike ka qenë e dedikuar për të gjitha komunat dhe shtoi se pushtetet lokale nuk ndahen sipas etnive dhe përkatësisë politike të kryetarëve të komunave, e siç tha ai, dëshmi për këtë është se kanë aplikuar 80 komuna ose pothuajse të gjitha.

I pyetur se a do të refuzohen projektet e komunave, të cilët kërkojnë blerjen e automjeteve zjarrfikëse dhe automjeteve të transportit publik, Perinski tha se vlerësimi do të bëhet nga ana e ministrive dikasteriale dhe fjalën përfundimtare do ta thonë komisionet e tyre.

"Qëllimi kryesor i thirrjes publike ishte përmirësimi i infrastrukturës në ato pjesë ku pushteti vendor nuk ka kushte apo mundësi për të ndërhyrë. Besoj se qëllimi kryesor i kësaj thirrjeje publike nuk është që qeveria të prokurojë mjetet bazë për ndërmarrjet publike, por të përmirësojë infrastrukturën brenda komunave", potencoi Perinski. rq/bsh/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR