• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Jakupi Osmani: Zjarrfikësit në Gostivar trajtohen si punëtorë të dorës së dytë

Jakupi Osmani: Zjarrfikësit në Gostivar trajtohen si punëtorë të dorës së dytë

Shkup, 18 shtator 2025 (MIA)- Zëdhënësja e fushatës së Visar Ademit, Fjolla Jakupi Osmani në një konferencë për shtyp para objektit të Njësisë së zjarrfikësve në Gostivar ka prezantuar gjendjen alarmante në të cilën punojnë zjarrfikësit e qytetit.

Ajo theksoi se zjarrfikësit, ndonëse janë heronjtë e përditshëm të Gostivarit, trajtohen si punëtorë të dorës së dytë: me paga qesharake, kushte çnjerëzore pune, mjete dhe automjete të amortizuara, pa sigurim shëndetësor për disa prej tyre dhe me një objekt të padenjë për misionin e tyre fisnik.

Ky diskriminim i zjarrfikësve të Gostivarit u cilësua si një padrejtësi e papranueshme dhe krim institucional.

Më tej, Osmani prezantoi planin e Visar Ademit për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje: barazim të pagave sipas standardeve ligjore, sigurim shëndetësor për çdo zjarrfikës, automjete dhe pajisje moderne, uniforma të reja çdo vit, renovim të plotë të objektit si dhe instalim të sensorëve për zbulimin e hershëm të zjarrit në të gjitha institucionet publike.

“Ky plan do të realizohet përmes shkarkimit të drejtorëve partiakë, uljes për gjysmë të administratës joproduktive dhe ridestinimit të buxhetit drejt shërbimeve esenciale për qytetarët – si zjarrfikësit, pastrimi dhe mirëmbajtja e rrugëve. Zjarrfikësit e Gostivarit nuk do të jenë më viktima të paaftësisë dhe manipulimeve politike. Ata do të kenë dinjitet, kushte të përshtatshme pune dhe paga të drejta”, ka thënë Jakupi Osmani.

QËNDRONI TË LIDHUR