• e hënë, 23 dhjetor 2024

Izraeli në parim ka rënë dakord për të hapur një korridor humanitar ndërmjet Qipros dhe Gazës

Izraeli në parim ka rënë dakord për të hapur një korridor humanitar ndërmjet Qipros dhe Gazës

Jerusalem, 28 dhjetor 2023 (MIA) - Izraeli në parim ka rënë dakord t'i lejojë Qipros të hapë një korridor detar ndërmjet atij ishulli dhe Rripit të Gazës, territor palestinez nën bllokadë izraelite, ku nevojat humanitare janë të mëdha, konfirmoi sot Ministria izraelite e Punëve të Jashtme.

"Ekziston në parim leje për shfrytëzimin e asaj rruge (detare), por mbesin edhe disa probleme praktike për t'u zgjidhur", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë, transmetoi Beta.

Ai plan duhet të kontribuojë për rritje të madhe të dërgesës së ndihmës humanitare për 2,4 milionë banorë në Rripin e Gazës, pas inspektimit të ngarkesës në Qipro "nën mbikëqyrjen izraelite", përkujtoi ai.

Qiproja e propozoi korridorin pas shpërthimit të luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, lëvizje islamiste palestineze e pushtetit në Rripin e Gazës.

Situata humanitare në Gaza është katastrofike, rreth 1,9 milionë njerëz ose 85 për qind e popullsisë është dashur t'i braktisin shtëpitë e tyre, sipas KB-së. Ka mungesë serioze të produkteve bazë në atë territor, që është nën bllokadë të plotë të Izraelit nga 9 tetori, dy ditë pas fillimit të konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit palestinez.

Tani për tani, ndihma humanitare shpërndahet në sasi të pamjaftueshme, në rrugën tokësore, përmes vendkalimit Rafah midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit.

Qiproja është larg 400 kilometra nga bregu i Gazës.

Burime zyrtare qipriote konfirmuan se Nikozia ka përfunduar të gjitha procedurat për ngritjen e një korridori detar. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR