• e diel, 09 mars 2025

Izet Mexhiti uron 7 marsin: Mësuesit janë drita që nuk shuhet dhe zëri që nuk hesht

Izet Mexhiti uron 7 marsin: Mësuesit janë drita që nuk shuhet dhe zëri që nuk hesht

Shkup, 7 mars 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka uruar mësuesit me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, duke vlerësuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në edukimin dhe formësimin e shoqërisë.

Në një mesazh të tij, siç theksohet në kumtesë, Mexhiti ka kujtuar hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887, duke e cilësuar atë si një moment historik për kombin shqiptar. Ai theksoi se mësuesit e asaj kohe nuk ishin vetëm edukatorë, por luftëtarë të diturisë dhe mbrojtës të identitetit kombëtar.

“Sot, më shumë se një shekull më vonë, festojmë këtë ditë dhe vazhdojmë ta nderojmë këtë mision të shenjtë. Për çdo fjalë të shkruar, për çdo mendje të ndriçuar, për çdo ëndërr të udhëhequr drejt suksesit, juve mësues ju themi faleminderit!”, ka deklaruar Mexhiti.

Ai ka nënvizuar se pavarësisht sfidave të kohës, mësuesit mbeten pishtarët e dijes, duke ndriçuar rrugën e brezave të rinj. Në përmbyllje të mesazhit të tij, Mexhiti uroi të gjithë mësuesit për 7 Marsin, duke i cilësuar ata si “drita që nuk shuhet dhe zëri që nuk hesht”.

QËNDRONI TË LIDHUR