• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Ivanovska: Kryetarja e KSHPK-së duhet urgjentisht të japë dorëheqje që të mund institucioni lirshëm të pastrohet

Ivanovska: Kryetarja e KSHPK-së duhet urgjentisht të japë dorëheqje që të mund institucioni lirshëm të pastrohet

Shkup, 28 prill 2025 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) duhet urgjentisht të japë dorëheqje, sepse në këtë mënyrë ajo ende e infekton institucionin. Duhet të ecet drejt asaj që institucioni të mundë lirshëm të pastrohet, porositi ish kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, sot para mbajtjes së sesionit të Konventës kombëtare për BE-në në RMV kushtuar luftës kundër korrupsionit. 

Në pyetjen e gazetarëve lidhur me rastin me kryetaren aktuale të KSHPK-së, Tatjana Dimitrovska e cila javën e kaluar u gjet në listën e të dyshuarve në rastin "Aditivët" për shkak të zbulimit të sekreteve zyrtare ndaj një të pandehuri tjetër në këtë rast, Ivanovska thotë se padyshim që i është dhënë një goditje e rëndë shoqërisë, qytetarëve dhe institucionit, duke theksuar se kjo nuk është koha për të ndenjur duarkryq.

Sipas Ivanovskës, topi tani është te organi legjislativ ndaj të cilit janë përgjegjës si kryetarja ashtu edhe anëtarët e Komisionit kundër korrupsionit.

"Ka ndodhur çfarë ka ndodhur, tani duhet të shohim se çfarë do të ndodhë më pas, kështu që duhet të kërkohet zgjidhje. Fjalën tani e ka Kuvendi - cilat mekanizma mund të ndërmarrë, çfarë mund të bëjë vetë institucioni në lidhje me vetëvlerësimin e rreziqeve të korrupsionit. Ne e kemi bërë këtë edhe më parë, duke synuar rritjen e integritetit të atij institucioni, kemi një regjistër me rreziqet e korrupsionit dhe masat për t'i kapërcyer ato. Kjo duhet të rishqyrtohet tani, për të parë se cilat janë rreziqet e larta, cilat kontrolle duhet t'i mbulojnë ato e kështu me radhë", tha Ivanovska. 

Sipas ish anëtarit të KSHPK-së, Vlladimir Georgievi, përgjegjësia është individuale tek çdo anëtarë, megjithatë kjo ndikon në punën e të gjithë institucionit dhe reputacionin e tij në publik. KSHPK-ja, tha Georgiev, është në kufirin e besimit të publikut dhe do të ketë nevojë për përpjekje shtesë për të rivendosur besimin.

"Ajo që doli nga puna e Zyrës së Prokurorit publik, se është i përfshirë kryetarja e KSHPK-së, ndikon vërtet në imazhin dhe besimin e publikut, por edhe të institucioneve të tjera në punën e KSHPK-së. Sa i përket në atë nëse i gjithë institucioni është fajtor, besoj se kjo është përgjegjësi individuale e çdo anëtari individualisht, në rastin e kryetares, megjithatë kjo ndikon në punën e KSHPK-së dhe reputacionin e saj në publik. Është shumë e vështirë të fitosh besimin përmes punës, paanshmërisë dhe përkushtimit, por është shumë e lehtë ta humbasësh atë besim. KSHPK-ja tashmë ndodhet në kufirin e besimit të vet në publik dhe ka nevojë për shumë përpjekje shtesë për ta rifituar atë besim", tha Georgiev. qa/

Foto: MIA printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR