• e enjte, 02 janar 2025

ISHP-ja me rekomandime për hidratim të duhur gjatë festave të fundvitit

ISHP-ja me rekomandime për hidratim të duhur gjatë festave të fundvitit

Shkup, 30 dhjetor 2024 (MIA) - Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) sot ka dalur me rekomandime për hidratim të duhur gjatë festave të fundvitit.

"Gjatë pushimeve njerëzit nuk bëjnë shumë kujdes gjatë konsumimit të ushqimit dhe pijeve. Megjithatë, ky “relaksim”, për fat të keq, nuk zgjat vetëm një ditë, por zgjat rreth tridhjetë ditë. Këtë vit, Instituti i Shëndetit Publik fokusohet në rekomandimet për hidratim të duhur gjatë festave të fundvitit", thuhet në njoftim, duke apeluar qytetarët që të kenë kujdes pijet e tyre. 

Nga ISHP-ja theksojnë se pijet e ëmbla "fshehin një të vërtetë të thartuar".

"Konsumimi i pijeve të tilla është një nga arsyet kryesore për rritjen e prevalencës së obezitetit, diabetit të tipit 2, sëmundjeve kardiovaskulare, kariesit dentar dhe problemeve të tjera shëndetësore. Për shembull, në Maqedoninë e Veriut, të dhënat nga Iniciativa për Monitorimin e Obezitetit të Fëmijëve tregojnë se pije joalkoolike të ëmbëlsuara më shumë se 3 herë në javë kosumojnë 45% e djemve dhe 37% e vajzave", thuhet në njoftim. 

Sqarohet se pijet freskuese të ëmbëlsuara përfshijnë pijet e gazuara, lëngjet e frutave, pijet energjetike, çajrat e ftohtë dhe ujërat me aroma. Gjithashtu, kafetë me aroma, qumështi me çokollatë, pijet të cilave u shtohet sheqer (i bardhë ose kafe), qumësht pluhur, krem ​​pana etj bëjnë pjesë në këtë kategori.

"Si t’i shmangni pijet me sheqer të shtuar? Mos blini apo mos mbani pije me sheqer të shtuar në shtëpi. Në kafene, restorante etj., mos porositni pije freskuese dhe shmangni kremrat, sosërat, koncentratet e lëngjeve, shurupet etj. Mbani me vete ujë në një shishe qelqi", këshillojnë nga ISHP-ja. 

Nga aty apelojnë që uji të jetë zgjedhja juaj e parë!

"Konsumoni qumësht, kos, kefir etj. Nëse dëshironi të pini pije të gazuara, zgjidhni ujë mineral të gazuar pa shije (aromë). Çaj ose lëng të shtrydhur në shtëpi pa sheqer të shtuar. Kini parasysh që asnjë nga pijet e lartpërmendura nuk është një zëvendësim i plotë për ujin, por mund të zëvendësojë një sasi të vogël", sqarojnë nga Instituti. 

"Agjencia Ndërkombëtare për Hulumtimin e Kancerit e klasifikon alkoolin si një substancë toksike, psikoaktive, kancerogjene grupi - 1  dhe e cila shkakton varshmëri, si pasojë e konsumimit të të cilës lidhen shtatë lloje të kancerit: i gojës, fytit, trakesë, ezofagut, mëlçisë, gjirit - gratë dhe zorrës së trashë", thonë nga ISHP-ja. 

Në nivel global, siç thonë, alkooli kontribuon për tre milionë vdekje dhe është përgjegjës për 5,1% të ngarkesës globale të sëmundjeve dhe lëndimeve. Rreth 13,5 për qind, siç thonë, e të gjitha rasteve të vdekjes në mesin e grupmoshës nga 20-39 i atribuohen alkoolit.

"Konsumimi i alkoolit është i lidhur me 740.000 raste të reja të kancerit çdo vit në mbarë botën. Megjithatë, të dhënat më të fundit të disponueshme tregojnë se gjysma e të gjitha kancereve që i atribuohen alkoolit në Rajonin Evropian të OBSH-së shkaktohen nga konsumimi 'i butë' dhe 'mesatar' i alkoolit - më pak se 1,5 litra verë ose më pak se 3,5 litra birrë në javë", sqarojnë nga ISHP-ja. 

Nga Instituti thonë se disa studime sugjerojnë se konsumimi i lehtë deri mesatar - 1-2 njësi alkooli në ditë, alkooli ka një efekt të kufizuar mbrojtës në incidencën e sëmundjeve kardiovaskulare, veçanërisht tek njerëzit mbi 40 vjet.

"Megjithatë, efektet mbrojtëse të konsumit mesatar zhduken gjatë episodeve të konsumimit të lartë të alkoolit, gjë që e rrit rrezikun nga të gjitha sëmundjet kardiovaskulare. Sa i përket personave në moshë nga 15 deri në 39 vjet, ato nuk kanë përfitime shëndetësore nga pirja e alkoolit, por vetëm rreziqe shëndetësore. Nuk ka një nivel të sigurt të konsumit të alkoolit. Edhe pse ka disa përfitime të mundshme shëndetësore nga konsumimi i lehtë dhe mestar i alkoolit siç janë efektet ndaj sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabeti i tipit 2, këto përfitime nuk i tejkalojnë rreziqet nga shfaqja e kancerit si pasojë e konsumimit të të njëjtit nivel të alkoolit. Rrjedhimisht, pas një qasjeje shumë të gjerë dhe studimore ndaj kësaj polemike, OBSH ka arritur në përfundimin konsensual se: "Asnjë nivel i konsumit të alkoolit nuk është i sigurt për shëndetin tonë", theksohet në njoftim. 

Sipas d.r Karina Ferreira-Borges, ushtruese detyre udhëheqëse e Njësisë së menaxhimit të sëmundjeve jo infektive dhe këshilltare rajonale për alkoolin dhe substancat ilegale, nuk mund të flasim një nivel të sigurt të përdorimit të alkoolit. 

"Pa dallim se sa pini, rreziku për shëndetin e atyre që konsumojnë alkool fillon që në pikën e parë. E vetmja gjë që mund të themi me siguri është se sa më shumë të pini, aq më shumë dëm shkaktoni - ose, me fjalë të tjera, sa më pak të pini, aq më të sigurt jeni", shkruan në deklaratën e saj.

Krahas OBSH-së, sipas rekomandimeve dietike nordike, kanadeze dhe gjermane nga viti 2023, siç njofton IPSH-ja, thuhet "meqë nuk mund të sigurohet kufi i sigurt për konsumimin e alkoolit, rekomandimi është që të gjithë duhet ta shmangin pirjen e alkoolit". qa/

Foto: arkivi i MIA-s, Instituti i Shëndetit Publik

 

QËNDRONI TË LIDHUR