Irani siguron Katarin se sulmi ishte në bazën ushtarake amerikane
- Irani siguron Katarin se baza ushtarake amerikane në Al-Udeid, e cila u godit nga raketat iraniane, është larg zonave të banuara dhe se sulmi nuk përbën rrezik për "vendin vëllazëror dhe mik të Katarit dhe popullit të tij".
- Post By Sara Ademi
- 20:14, 23 qershor, 2025
Teheran, 23 qershor 2025 (MIA) - Irani siguron Katarin se baza ushtarake amerikane në Al-Udeid, e cila u godit nga raketat iraniane, është larg zonave të banuara dhe se sulmi nuk përbën rrezik për "vendin vëllazëror dhe mik të Katarit dhe popullit të tij".
"Irani është i përkushtuar të mbajë marrëdhënie të ngrohta me Katarin", tha në një deklaratë Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit.
Shtohet se operacioni kundër forcave amerikane në bazën ushtarake Al-Udeid ishte i suksesshëm dhe se "numri i raketave të lëshuara është i barabartë me numrin e bombave që SHBA përdori në sulmin ndaj objekteve bërthamore të Iranit".
Garda Revolucionare e Iranit lëshoi një deklaratë duke thënë se mesazhi i Iranit për Shtëpinë e Bardhë dhe aleatët e tij ishte "i qartë dhe i padyshimtë".
"Irani në asnjë rrethanë nuk do të lërë pa përgjigje asnjë sulm ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe sigurisë së tij kombëtare", thuhet në kumtesën e IRGK.
Nuk ka pasur viktima në sulmin iranian në bazën amerikane Al-Udeid, ka njoftuar Katari.
Katari më tej njoftoi se mban të drejtën për përgjigje të drejtpërdrejtë në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Sipas tyre, mbrojtja ajrore ka kapur një sulm raketor iranian.
"Jemi të bindur se forcat e mbrojtjes ajrore të Katarit ndaluan sulmin dhe kapën me sukses raketat iraniane", thuhet në deklaratën e Katarit.
Ministria e Mbrojtjes shtoi: "Falë Zotit, vigjilencës së forcave të armatosura dhe masave paraprake të marra, incidenti nuk rezultoi me viktima apo të plagosur".
Ministria njoftoi gjithashtu se hapësira ajrore dhe territori i vendit janë "të sigurt".
"E konsiderojmë këtë një shkelje të rëndë të sovranitetit të shtetit të Katarit, hapësirës së tij ajrore, ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së KB-së", shkroi Maxhed al-Ansari, zëdhënësi zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit. sa/