• e premte, 05 dhjetor 2025

Irani dëbon 1,2 milion refugjatë afganë për gjashtë muaj, paralajmëron edhe 800.000 deri në mars

Irani dëbon 1,2 milion refugjatë afganë për gjashtë muaj, paralajmëron edhe 800.000 deri në mars

Teheran, 19 gusht 2025 (MIA) - Irani në gjashtë muajt e fundit ka deportuar 1,2 milion refugjatë afganë dhe planifikon deri në marsin e vitit të ardhshëm të dëbojë edhe 800.000, deklaroi ministri iranian i Punëve të Jashtme, Eskander Momeni, transmeton agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Me këtë, numri i përgjithshëm i deportimeve do të arrinte dy milionë nga gjithsej rreth gjashtë milionë afganë që jetojnë në vend. 

Momeni theksoi se masat po zbatohen në përputhje me ligjin për të huajt pa leje qëndrimi të vlefshme dhe se nuk motivohen nga "ksenofobia".

Çdo vit, për shkak të konfliktit, varfërisë dhe papunësisë së lartë, një numër i madh afganësh kalojnë ilegalisht kufirin 300 kilometrash me Iranin. Një pjesë e madhe e tyre punojnë në punë me paga të ulëta në qytetet e mëdha, veçanërisht në kantieret e ndërtimit, ku vlerësohen si fuqi punëtore e lirë dhe e sigurtë.

Një nga faktorët kryesorë për dëbimet masive dhe ndalimit të flukseve të mëtejshme është kriza e thellë ekonomike me të cilën përballet Irani. Pavarësisht pasurisë nga nafta, vendi përballet me rritje të papunësisë, e cila është përkeqësuar më tej nga mosmarrëveshja bërthamore me Perëndimin dhe sanksionet ndërkombëtare. qa/

Foto: Arkivi i EPA-s

QËNDRONI TË LIDHUR