Investim mbi 200 milionë euro në shëndetësi me mbështetje britanike, paralajmëron kryeministri Mickoski
- Investim prej më shumë se dyqind milionë euro në shëndetësi me mbështetje britanike, paralajmëroi sot kryeministri Hristian Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.
- Post By Fami Bajrami
- 13:32, 25 qershor, 2025
Shkup, 25 qershor 2025 (MIA)- Investim prej më shumë se dyqind milionë euro në shëndetësi me mbështetje britanike, paralajmëroi sot kryeministri Hristian Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.
"Ajo për të cilën biseduam në fazën e parë është investim i cili do të jetë më i madh se 200 milionë euro. Por, për atë se sa saktësisht do të jetë, do të duhet të fillojë procesi, njësoj siç filloi për hekurudhën. Ministria e Shëndetësisë duhet të kërkojë nga Ministria e Financave të shpallë, kushtimisht thënë, një tender përmes së cilit institucionet financiare dhe bankat do të shprehin gatishmërinë dhe interes për ta financuar atë projekt dhe natyrisht, kushtet më të mira që do të ofrohen, ne do t’i pranojmë dhe do t’i zgjedhim", tha Mickoski.
Kjo në thelb përfshin përfundimin e Spitalit klinik në Shtip, ndërtimin e Fakultetit të Mjekësisë së bashku me konviktin e ri studentor me 200 shtretër, ndërtimin e Spitalit në Kërçovë me shtëpinë e shëndetit dhe rikonstruimin e plotë të Spitalit klinik në Tetovë.
"Kjo është ajo që përfshin faza e parë, të shohim, të fillojmë. Kemi kornizë, kemi mjete të lira për të hyrë edhe në fazën e dytë, e ajo është Qendra e madhe Klinike e premtuar prej shumë kohësh në Shkup“, ka thënë ai.
Mickoski mori pjesë sot në prezantimin e 11 projekteve të realizuara për 11 muaj, në Klinikën për sëmundje të fëmijëve.
Foto dhe video: MIA