• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Interesim i madh i shqiptarëve në Greqi për fjalimin e Ramës në Athinë

Interesim i madh i shqiptarëve në Greqi për fjalimin e Ramës në Athinë

Athinë, 12 maj 2024 (MIA) - Me duartrokitje dhe brohoritje, me flamuj kombëtarë brenda dhe jashtë sallës, shqiptarët që jetojnë në Greqi pritën në Athinë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama i cili në një sallë sporti në një lagje të Athinës mbajti takim dhe fjalim që sipas vlerësimeve morën pjesë mbi 6.000 persona, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Vizita e Ramës në Athinë është private, në kuadër të turneut të tij në disa vende evropiane me qëllim të takohet dhe t’u drejtohet bashkatdhetarëve të tij dhe sipas mediave greke për sigurinë e kryeministrit shqiptar kanë qenë të angazhuar mbi 1.000 policë.

Takimi në sallën e mbyllur të sportit ishte caktuar paraditen e sotme në orën 11, por qytetarët që në mëngjes kanë filluar të arrijnë, ndërsa interesimi tek shqiptarët që jetojnë në Greqi ka qenë i madh.

Ata komentuan se është veçanërisht i rëndësishëm fakti që Rama është kryeministri i parë shqiptar që viziton Athinën për të takuar diasporën.

Duke qenë se salla ka qenë me kapacitet të kufizuar, jashtë është vendosur video-bim për të ndjekur fjalimin e Ramës për ata që nuk kanë mundur të futen brenda.

Kryeministri Rama ka arrit i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe ministra të qeverisë së tij, ndërsa fjalimit i ka paraprirë intonimi i himnit kombëtar, si dhe pjesë muzikore me këngëtarë shqiptarë.

Sipas mediave greke, Rama ka porositur se në Athinë nuk ka ardhur për të provokuar.

Lidhur me vizitën private dhe tubimin, kryeministri grek Kiriakos Micotakis në intervistën e djeshme për televizionin grek Alfa tha se “Greqia është vend demokratik që garanton me kushtetutë të drejtën e mbajtjes së tubimeve dhe padyshim që askush asnjëherë nuk do t'ia ndalonte një lideri të huaj të vjen dhe të realizojë takim privat për t'iu drejtuar bashkatdhetarëve të tij".

"Mendoj se tema mori pak më shumë publicitet se sa meriton. Nëse më pyesni nëse koha e kësaj vizite, pak javë para zgjedhjeve evropiane dhe me çështjet e hapura për pakicën kombëtare grek në Shqipëri është koha e duhur, do t'ju them se nuk është edhe aq kohë e përshtatshme. Megjithatë, le të mos i japim më shumë rëndësi", ka thënë Micotakisi.

Vizita e Ramës në Athinë vjen në kohën kur marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë janë ftohur për shkak të rastit të kryebashkiakut të dënuar të Himarës Fredi Beleri i cili edhe pse ndodhet në burg në Shqipëri është një nga 42-të kandidatët për deputet në Parlamentin Evropian nga radhët e partisë qeveritare Demokracia e Re në Greqi.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR