• e hënë, 23 dhjetor 2024

Instituti i Maqedonisë për Media ndau çmimet "Nikola Mlladenov 2022"

Instituti i Maqedonisë për Media ndau çmimet

Shkup, 21 mars 2023 (MIA) - Laboratori hulumtues dhe raportues me storjen "Gjaku i pistë", nga gazetarja Kristina Atovska me reportazhin për luftën në Ukrainë dhe Arbnora Memeti me foton "Rreshjet nga substancat kancerogjene në Tetovë" janë fitueset e çmimeve të sivjetme "Nikola Mladenov" , të cilat janë ndarë nga Instituti i Maqedonisë për Media.

Ekipi i LHR-së, i cili punoi në tregimin investigativ "Gjaku i pistë", vuri në dukje se ata u përballën me sfida të mëdha.

"Kjo ishte një nga periudhat më të vështira të jetës sonë dhe nuk mbaroi kur publikuam episodin, përkundrazi, ajo periudhë vazhdon ende për ne, sepse jemi çdo ditë shënjestër e sulmeve nga ndjekjet e orkestruara dhe tentativat për diskreditim. Prandaj kjo është arsyeja pse një njohje kaq e madhe do të thotë shumë për ne, sepse ky episod ishte jashtëzakonisht i vështirë për t'u vërtetuar, ishte i vështirë për t'u bërë dhe thjesht na tregoi se qytetarët janë të gatshëm të luftojnë me ne, veçanërisht ata qytetarë në institucionet që na njohën si partner. Dua të them se në të ardhmen na pret një betejë edhe më e vështirë dhe jemi shumë të lumtur që kemi mbështetjen", theksoi Denica Çadikovska, pjesë e ekipit të LHR-së.

Kristina Atovska, e cila mori çmimin për produktin më inovativ mediatik, me fokus luftën në Ukrainë, shprehu shpresën se këmbëngulja e saj një ditë do të jetë motivim për gjeneratat e tjera.

Ndër të tjera, fotoreporterja Memeti tregoi se duhet menduar më shumë për edukimin dhe sigurinë më të madhe të punonjësve mediatik që raportojnë nga zonat e rrezikshme.

"Kjo fotografi është bërë vitin e kaluar kur Tetova u godit nga një fatkeqësi e re mjedisore. Reshje 14 orëshe të lëndëve kancerogjene ka pasur nga një fabrikë që ka marrë flakë në hyrje të Tetovës. Përveç zjarrfikësve që ishin më të ekspozuarit aty, ishim edhe ne punëtorët  mediatik. E them këtë sepse është koha që të fillojmë të mendojmë më shumë për edukimin për raportimin nga zona të tilla", tha Memeti.

Në kategorinë storja më e mirë investigative, ishin paraqitur 16 gazetarë, ndërsa për produktin më inovativ gazetaresk 18 tema, ndërsa për fotografinë më të mirë raportuese ishin paraqitur  27 fotografi. 

Komisioni për ndarjen e çmimeve përbëhej nga Verica Jordanova, kryetare e bordit të drejtorëve të IMM, Arta Tahiri, redaktore në televizionin Alsat M, prof.dr. Marina Tuneva, fotoreporteri Robert Atanasovski dhe Biljana Petkovska, drejtoreshë e IMM.

Vlerësimi i Komisionit është se vitin e kaluar gazetarët kanë punuar me përkushtim dhe në mënyrë themelore  kanë prodhuar hulumtime cilësore që zbulojnë dhe analizojnë tema dhe çështje me interes të lartë publik, duke inkurajuar zgjidhjen institucionale në rastet kur janë konstatuar parregullsi dhe keqpërdorime. sa/

Foto. IMM

QËNDRONI TË LIDHUR